Vllaznia e femrave arriti një sukses historik për futbollin shqiptar ditën e mërkurë. Vajzat shkodrane u bënë ekipi i parë nga vendi ynë që do luajë në grupet e Champions League. Ato e arritën këtë kualifikim pasi mposhtën me rezultatin 2-1 ekipin e Vorskla Kharkiv. Ku ndeshja e parë kishte përfunduar 1-1 dhe çdo gjë u vendos në atë të kthimit.

E tashmë vajzat kuqeblu do jenë kundër ekipeve më të mira të Europës në futbollin e femrave si: Lyon, Wolfsburg apo edhe Barcelona. Apo edhe për krah ekipeve me emër si: PSG, Juventus, Bayern Munchen dhe Real Madrid. Një sukses i gjithë këtyre viteve investime i presidentit, Lazer Matija. Që në fjalët e tij pas ndeshjes theksoi se ky ishte një objektiv dhe jo një ëndërr.

Duke treguar qartazi ambiciet që ka kjo skuadër. E një meritë patjetër shkon edhe për vajzat që shpërblyen sakrificat e viteve të tëra. Por një vëmendje duhet të shkojë edhe për “timonierin” e kësaj skuadre, Nikolin Leka. Një personazh thuajse aspak mediatik, që lë punën dhe sukseset e tij të flasë.

Leka është padyshim trajneri më i suksesshëm i historisë së futbollit tonë. Pasi kampionatet dhe kupat që ka fituar ai, nuk i ka arritur askush. E tashmë “qershia mbi tortë” e një karriere shumë të suksesshme si trajner, e vendos ky kualifkim në Champions League.

Një histori që do mbesë gjithmonë, më këta drejtues, këtë staf teknik dhe këto vajza të mrekullueshme, që ëndrrën e shndërruan në realitet.

Endri ÇINARI