Kryeministri Edi Rama zbuloi këtë të martë nga Kukësi se, një nga vendimet e nesërme të qeverisë, do të jetë miratimi i një fondi për ndërtimin e një stadiumi në Kukës.

Në aktivitetin dedikuar anëtarësimeve të reja në PS, Rama shtoi se, stadiumi do të jetë me parametra moderne.

“Për ekipin e Kukësit ne kemi marrë një angazhim dhe unë dua t’ju them paraprakisht juve që jeni këtu, që nesër në qeveri do të vendosim edhe financimin për stadiumin e ri.

Do bëjmë një bashkëpunim me FSHF-në, kemi rënë dakord, ashtu si kemi bërë për stadiumin e Shkodrës dhe për stadiumin e Elbasanit. Do vendosim nga ana jonë kontributin financiar.

Federata do të bëjë të vetën dhe shpresa është që ne në bashkëpunim me klubin të fillojmë sa më shpejt punën dhe sezonin e ardhshëm. Nëse gjenden punëtorët e duhur dhe nëse do ketë aq shumë pasion nga tifozët që punojnë me tre turne, sezonin e ardhshëm, Kukësi ta fillojë në stadiumin e vet.

Një stadium, modern me të gjitha standardet e nevojshme për të luajtur edhe ndeshjet ndërkombëtare, që të mos shkoni në Elbasan. Se nuk ka lezet për ju kuksianët të shkoni në Elbasan për të pa skuadrën tuaj, se ju nuk jeni as shumë të ballokumeve…” tha Rama.

Në aktivitet ishte i pranishëm edhe Safet Gjici, Presidenti i Kukësit, njëkohësisht ish-kandidat i PS-së për deputet në këtë qark në zgjedhjet e fundit.

Në aktivitet, fjalën e moti edhe Gjici, i cili mes të tjerash u shpreh se, “nëse Kukësi bëhet, bëhet vetëm me Ed Ramën”.