Pasditen e së shtunës në Tiranë do të luhet ndeshja më e rëndësishme e kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj, ajo në mes Tiranës vendase dhe Vllaznisë. Themi më e rëndësishmja sepse të dy ekipet kryesojnë renditjen e kampionatit, me nga 11 pikë por duhet thënë se ekipi shkodran ka një ndeshje më pak të luajtur.

Gjithsesi, rëndësia e kësaj ndeshje është e madhe sepse fitorja e tij do ta shkëpuste njërin ekip në krye të renditjes të vetëm. Sfida pritet të jetë shumë e fortë megjithatë ekipi shkodran ka treguar se mund t’ia dalë, madje edhe në ndeshjet që luan jashtë fushës së vet.

Vllaznia nën drejtimin e trajnerit Ermal Kraja ka bërë një paraqitje të shkëlqyer deri më tani duke i fituar të katër ndeshjet e luajtura. E nisi me sukses duke mundur Studentin në kryeqytet, më pas fitoi me kampionët në fuqi të vendit, Erzenin e Shijakut në Shkodër, për të vazhduar me fitoren në Tiranë ndaj Partizanit dhe së fundi, edhe me Elbasanin në “Qazim Dervishi”.

Objektivi i kuqebluve është për ta ruajtur vendin e parë deri në fund të fazës së dytë dhe më pas, duke mbetur me shpresën e ndonjë përforcimi të mundshëm në janar, të synojë pse jo edhe fitimin e titullit kampion.

Kjo duket paksa e vështirë sepse ekipe si Erzeni e Partizani, gjithmonë në fazën e dytë të kampionatit marrin lojtarë të huaj dhe prishin ballancat në kampionat.

Megjithatë tek Vllaznia kanë ende shpresë se nisja e mirë e kampionatit do të vazhdojë deri në fund të tij. Megjithatë për momentin, i gjithë fokusi është përqendruar tek ndeshja e së shtunës me Tiranën.

Pa fituar ndaj saj, nuk mund të pretendohet më shumë dhe trajneri Kraja është duke u munduar t’ua bëjë të qartë këtë gjë edhe sportistëve të tij.
www.shkodrasport.com