Ky është cilësuar shpesh si viti i ringjalljes së futbollit italian, me konfirmimin e Juventusit mes superfuqive evropiane dhe kthimin në nivelet e larta të Interit e Milanit. Por duket se në fakt kjo është vetëm fasadë, pasi futbolli italian vuan një krizë të rëndë financiare, aq sa klubet kryesore kanë qindra milion euro borxhe.

Pak ditë më parë, mediat italiane konfirmuan se bardhezinjtë e Juventus kishin 384 milionë euro borxhe dhe afrimi i Ronaldos e synimi për të venë diktatin në Europë, bëhej pikërisht për të mbyllur këtë “gropë” në bilancin e aksionerëve të klubit.

Por juventinët duket se janë të pozicionuar mirë në krahasim me dy klubet milaneze. “Il Fatto Quotidfiano” ka publikuar raportin e borxheve në Serinë A dhe në majë të listës gjendet Interi, që ka grumbulluar borxhe prej 668 milionë eurosh.

Kjo është arsyeja pse zikaltërit janë treguar shumë më të kujdesshëm me bilancin në vitet e fundit duke mos bërë shpenzime të çmendura dhe po mendojnë seriozisht të shesin Ikardin për të mbuluar një pjesë të këtij borxhi të trashëguar në vite.

Edhe Milani nuk është aq mirë, pasi regjistron 537 milionë euro borxhe, një shifër e cila filloi të rritej në mënyrë të frikshme në momentin kur u bënë dy ndryshime drejtuesish në pak vite.

Gazeta italiane ka treguar gjithashtu se për të mbuluar këto borxhe në mënyrë fiktive, klubet në fjalë kanë filluar të bëjë shitje fiktive, “plusvalencat” e famshme duke kaluar lojtarë te njëri-tjetri mbi vlerat normale të tregut dhe kanë zgjuar interesin e Federatës Italiane që ka filluar hetimet dhe mund t’i dënojë ata. /vipsport/