Mirsad Jonuz nuk është ndierë mirë kur sapo mbërriti në Shkodër pas dy muajve në Maqedoni, gjeti në ekip lojtarë të pezmatuar. Trajneri i Vllaznisë nuk kërkon të fshihet për situatën që po kalon klubi, teksa tregon gjithçka po ndodh te shkodranët në këto ditë të para të rifillimit të përgatitjeve.

Ai foli ekskluzivisht për “Panorama Sport” menjëherë pas diskutimit me ekipin për problematikën e rrogave, por jo vetëm. Jonuz u bëri thirrje drejtuesve të klubit që të zgjidhin sa më shpejt këtë situatë. Trajneri ka shprehur rezervat e tij për punën e klubit edhe sa u përket lojtarëve që nuk kanë ardhur ende nga Maqedonia e Veriut, si Efremov, Adili dhe Hristov.

Menjëherë sapo erdhët nga Maqedonia, hasët probleme me skuadrën, e cila nuk donte të dilte as në stërvitje pa takuar më parë administratorin Lici. E prisnit diçka të tillë?

Po, kemi shumë probleme tani pas dy muajsh ndërprerje. Së pari, nuk kemi punuar me ekipin dhe tashmë duhet të mendojmë të bëjmë sa më mirë stërvitje për të mos patur dëmtime. Së dyti dhe ç’është më kryesorja në këtë situatë, skuadra ka 3-4 muaj që nuk paguhet nga klubi. Përtej këtyre dy problemeve, kemi edhe të tjera, që natyrisht mund të duken normale në këtë moment.

Çfarë do të bëni në këtë situatë, pasi lojtarët kërkojnë garanci financiare nga klubi?

Do të flasim menjëherë me drejtuesit e klubit. Problemet duhet të zgjidhen një nga një brenda kësaj jave, sa më shpejt të jetë e mundur.

Ju keni diskutuar personalisht me administratorin Lici?

Kam folur dje vetëm kur kam qenë në doganë. E kemi lënë që kur të vija në Shkodër, të flisnim për të gjitha problemet që kishim. Kemi një problem madhor edhe me kontratat, që duhen zgjidhur sa më shpejt.