Deklaratat e bëra në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Shkodër dhe të pasqyruara më pas edhe në media për fonde të mëdha dhe abuzime në klubin e futbollit Vllaznia, janë hedhur poshtë nga ky i fundit ditën e sotme përmes një deklarate për shtyp. Ndër të tjera në të thuhet se Bashkia Shkodër për Vllazninë gjatë vitit 2016 nuk ka akorduar 1.2 miliardë lekë siç u interpretua me dashakeqësi në mbledhjen e fundit por vetëm 400 milionë lekë të vjetra. Po ashtu, në këtë deklaratë, bëhet e ditur se sulme të tilla kanë qenë dhe janë në kuadrin e sulmeve politike megjithatë kjo nuk përbën asnjë problem sepse KF Vllaznia është e hapur për këdo, për të treguar se ku janë harxhuar këto lekë të akorduara nga institucioni i Bashkisë. Ja deklarata e plotë për shtyp e shpërndarë ditën e sotme nga klubi shkodran:
DEKLARATE PER SHTYP
Klubi i Futbollit “Vllaznia” dëshiron të bëjë një sqarim për të gjithë opinionin publik dhe veҫanërisht për sportëdashësit e tij nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp, në lidhje me sa është thënë e deklaruar rreth situatës financiare të tij këto ditët e fundit. Në media, të cilat i janë referuar ndonjë këshilltari të Bashkisë Shkodër, është thënë se KF Vllaznia, vetëm për vitin 2016, do të kishte një financim prej plot 120 milionë lekësh nga Bashkia. Kjo deklaratë na ka habitur dhe nuk na ka lënë shije të mirë, pasi është shumë larg së vërtetës.
Nuk e dimë kujt mund t’i interesojë shtrembërimi i fakteve e me ҫfarë qëllimi bëhet, por ajo që dimë mirë është që Vllaznisë nuk i shërben!
Për secilin nga këshilltarët, apo për këdo tjetër, në ҫdo kohë është lehtësisht e verifikueshme nëpërmjet vendimeve të Këshillit Bashkiak të publikuara on line dhe ekstraktit historik të KF Vllaznia sh.a. në QKR, se Bashkia Shkodër në fillim të këtij viti ka lëvruar një fond prej 50 milionë lekësh për klubin tonë. Ndërkohë, në mbledhjen e datës 2 nëntor, u miratua edhe një fond tjetër prej 12 milionë lekësh. Në total, për vitin 2016 ky institucion do të kalojë në arkën e KF Vllaznia një shumë prej 62 milionë lekësh dhe jo 120 milionë lekë siç u deklarua me abuzivisëm. Në të njëjtën kohë, duam të sjellim në vëmendjen e të gjithëve, se nga shuma e miratuar, 22 milionë lekë janë shpenzuar për likujdimin e borxheve të prapambetura. Për rrjedhojë, në dispozicion të KF Vllaznia për të gjithë veprimtarinë e tij për vitin 2016, mbesin 40 milionë lekë. Se ku janë shpenzuar dhe si do të shpenzohen këto lekë, apo të ardhurat e tjera të siguruara nga KF Vllaznia, është plotësisht e verifikueshme nga kushdo, sepse jemi të hapur për këtë gjë. KF Vllaznia i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë publike të gjitha shpenzimet financiare për këshilltarët bashkiakë apo këdo tjetër sa herë që i kanë kërkuar, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur dhe jemi shumë transparent në këtë drejtim. Kjo është e vërteta dhe ne jemi në dispozicion të kujtdo që dëshiron të mësojë më shumë në lidhje me të.
Nëse dikush kërkon të shfrytëzojë Vllazninë për përfitime politike, duke abuzuar me deklarata aspak serioze, kjo është çështje tjetër.