Vllaznia në volejboll për meshkuj arrin fitoren e tretë rradhazi. Këtë herë ndaj Tiranës. Ka ndodhur kështu në ndeshjen e luajtur pasditen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” kur kuqeblutë kanë arritur të fitojnë me rezultatin 3-1. Takimi ka nisur me shumë rivalitet dhe këtë e tregon më së miri përfundimi i setit të parë me shifrat 26-24 në favor të vendasve. Në të dytin epërsia e ekipit të drejtuar nga trajneri Mark Kroqi rritet dhe do ta fitojë edhe atë, këtë herë me shifrat 25-22. Kur pritej që takimi të mbyllej në setin e tretë, volejbollistët shkodranë nuk luajnë ashtu si duhet dhe i japin mundësinë Tiranës të rihapin  ndeshjen pas fitores 25-21.

Por vetëm kaq sepse në të katërtin kemi një dominim absolut të Vllaznisë e cila e fiton edhe këtë set 25-14 dhe krej ndeshjen me rezultatin 3-1. Për trajnerin e saj Mark Kroqi, fitorja ishte shumë e rëndësishme por ekipi ka ende për të përmirësuar në lojën e tij.Nga ana tjetër, trajneri i Tiranës Ilia Koja e ka pranuar dominimin e ekipit shkodran megjithatë ka lënë të hapur mundësinë e një rivaliteti të madh deri në fund të kampionatit.Ndeshja ndaj Tiranës është transmetuar e plotë mbrëmjen e së shtunës në ekranin e televizionit Rozafa. Me fitoren ndaj bardhebluve, tashmë shkodranët kanë hyrë në rrugën e tyre të pretendimeve megjithatë, duhet t’i marrin ndeshjet një e nga një në mënyrë që të arrijnë objektivin që kanë.

© shkodrasport.com