Ditët e pushimit për trajnerin e Vllaznisë Armando Cungu, kanë përfunduar. Mbrëmjen e së hënës ai është kthyer në Shkodër pas një jave relaksi e çlodhje që ka kaluar bashkë me familjen në Greqi. Drejtuesit e klubit kanë pritur kthimin e tij për të zhvilluar analizën e sezonit që lamë pas dhe kjo analizë me shumë mundësi do të zhvillohet në 2-3 ditët e ardhshme, kuptohet duke parë edhe axhendën e të gjithë drejtuesve. Nuk përjashtohet mundësia që të zhvillohet edhe ditën e sotme megjithatë për momentin nuk ka asgjë zyrtare.

 

Ka qenë vetë kryebashkiakja Ademi e cila përveçse ka rikonfirmuar trajnerin edhe për sezonin e ardhshëm, një ditë më parë ka folur edhe për analizën që do të zhvillohet. Por nga ana tjetër, duhet pritur edhe vendimi i vetë Cungut i cili muajt e fundit ka lënë të hapur edhe mundësinë e largimit dhe pas ndeshjes me Tiranën deklaroi se vendimin do ta merrte pas disa ditësh pushim, natyrisht pasi të ketë reflektuar pas gjithë atij sezoni të gjatë e të lodhshëm. Ai realisht është nën kontratë me Vllazninë deri në fundin e sezonit 2017-18 dhe pritet vetëm që të vazhdojë punën. Natyrisht, në analizën që do të zhvillohen do të saktësohen edhe shumë gjëra që kanë të bëjnë me të ardhmen e kuqebluve se cili do jetë buxheti i sezonit të ri dhe prej tij pastaj do të përcaktohen edhe detajet e tjera të ndërtimit të skuadrës.