Ashtu si në “Leaving the World Behind”, një linjë oqeanike po afrohet. Duket ende larg, por çdo ditë është më afër. Duket e pandalshme, e pashmangshme. Dhe nëse e keni parë filmin, tashmë e dini se si përfundon. Realiteti është se Real Madridi nga sot e konsideron Mbappe si operacion të mbyllur merkatoje. Duket si ‘Vëllimi II’ i galaktikëve, edhe pse me nuanca.

Ato nënshkrime të “Vëllimit I” ishin në të tridhjetat (Zidane erdhi 29 vjeç, ndërsa Figo 27 vjeç, për shembull), ndërsa galaktikët aktualë nuk janë më shumë se 25 vjeç. Kjo ‘epokë’ është më e re (26 vite, mesatarisht) dhe është krijuar për të luajtur gjatë. Katër emra “dekretojnë” euforinë: Courtois, Militao, Davies dhe Mbappé. Yje që, sipas raporteve astronomike, synojnë të rreshtohen në verë në galaktikën e bardhë.

Mbappe? Francezi ka përmbysur gjithçka të enjten duke njoftuar PSG-në se më 1 korrik do të fluturojë nga Parisi. Megjithëse thuhet se të gjitha rrugët të çojnë në Romë, rruga e tij tregon për në Madrid. Është një hap larg.

Davies? Kontrata e tij me Bayernin përfundon në vitin 2025, ndaj këtë verë do të duhet të rinovojë ose të largohet. E para duket e largët. Ai kërkon 13 milionë euro rrogë në sezn, klubi bavarez ka thënë se nuk do t’ia japë. Real Madridi e kërkon atë dhe po mendon një investim prej 55 milionë euro.

Atyre u duhet shtuar edhe rikthimi i dy “peshave të rënda”: Courtois dhe Militao. Portieri belg ka këputur ligamentin e kryqëzuar në gjurin e majtë, ka qenë edhe më i pafat, pasi i është prekur menisku. Jashtë për të gjithë sezonin aktual, edhe pse në këtë moment nuk përjashtohet mundësia që të jetë funksional rreth majit.

Sidoqoftë, ai nuk llogaritet për ndeshje të rëndësishme. Militao këputi po ashtu ligamentin e kryqëzuar, por në rastin e tij menisku mbeti i padëmtuar, kështu që synon të kthehet konkurrues rreth fundit të marsit. Në çdo rast, kur të dy do të kthehen në top-formë, do të jetë sezoni i ardhshëm.

Aty do të lindë plejada e këtyre katër yjeve, me shtatë të tjerë. Në mbrojtje, në përcjellje të belgut, do të jenë Carvajal, Militao, Rüdiger dhe Davies. Rasti i gjermanit do të thotë një “luftë” e re, këtë herë me Alaba, por sezoni i tij i jashtëzakonshëm po shton pikë për ta konsoliduar pozicionin e titullarit.

Te Real Madrid konsiderohet absurd debati se ku të ingranohet Mbappe, pasi përshtatet pa problem në skemën aktuale. Kështu, Ancelotti do të jetë në gjendje të ruajë 4-4-2 e tij (i cili ndryshon midis diamantit dhe anësorëve).

Për mesfushorin e qendrës duhet të merret një vendim përfundimtar: Camavinga ose Tchouameni. Edhe pse Carletto ka qenë gjithmonë i bindur nga i dyti, i preferuari i fansave është padyshim i pari. Vetëm një do të jetë në gjendje të shoqërojë Kroos, i cili për momentin duket ende e vështirë “t’i varë këpucët në gozhdë” pas katër muajsh.

Qendra e fushës do të vazhdonte të ishte “pronë” e tij sezonin e ardhshëm, me Valverde të anuar djathtas dhe Bellingham mes të majtës dhe qendrës. “Viktima” e madhe do të ishte Rodrygo, pasi Kylian do të luante në pozicionin e tij, duke formuar një tandem me Vinicius. Ancelotti do t’iu japë atyre lirinë, siç po bën tani me brazilianët.

Ata do të jenë referenca për një ekip të madh, me stol spektakolar: Lunin, Alaba, Tchouameni (ose Camavinga), Güler, Brahim, Rodrygo apo Endrick. Ai që po formon Real Madridi është një bllok historik, i denjë për të shënuar një epokë. Edhe pse të gjithë e dinë gjithashtu se emrat nuk fitojnë tituj të vetëm. Kjo skuadër e blinduar në emra duhet të funksionojë më pas. Por, tani për tani, transatlantiku po afrohet. Si në film…/telesport/