Dy debutimet që mund të kemi te Shqipëria kundër Spanjës, në miqësoren e parë, janë Xhakomo Vrioni dhe Asllani. I pari ka luajtur më herët me Kombëtaren A, por nën drejtimin e Rejës, hapësirat për të kanë qenë inekzistente.

Por nëse për sulmuesin e Tirolit nuk ka ende një konfirmim zyrtar për përfshirjen e tij në listë, nga krahu tjetër mesfushori i Empolit është i konfirmuar.

Vetë trajneri i Kombëtares është shprehur se ky lojtar do të jetë pjesë e Shqipërisë A për ta parë më nga afër. Gjithashtu edhe për Vrionin pritet të ketë një ftesë në mënyrë që Reja ta shoh pasi statistikat e tij në Austri janë mbreslënëse, në një kohë që sulmuesit e tjerë të Kombëtares janë në thatësirën e golave.

“Të luash kundër Spanjës është një gjë shumë e madhe. Në një përballje të tillë shohim se në çfarë pike jemi. Duhet të përpiqemi të përballemi në mënyrë të denjë që t’i tregojmë tifozëve shqiptarë që edhe me kundërshtarë të tillë mund të jemi kompetitivë. Unë tashmë e kam një grup lojtarësh dhe do të vazhdoj përpara me ta.

Për shembull Broja konsiderohet si i ri, por tashmë ai është një lojtar i pjekur, po përmirësohet shumë. E kam ndjekur. Do të jetë Asllani një nga emrat e rinj, i cili ka qenë pjesë e ekipit U21.

Ai ka fituar vendin e titullarit te Empoli. Ne po punojmë për eliminatoret e Europianit. Këta por edhe të rinjtë e tjerë brenda dy viteve do të përmirësohen dhe do të kemi një ekip më të fortë”, ka thënë Edi Reja në një intervistë pak ditë më parë.