Edi Reja analizoi barazimin pa gola ndaj Gjeorgjisë. Trajneri i kombëtares foli për Supersport pas ndeshjes, duke treguar se çfarë shkoi mirë dhe çfarë nuk funksionoi. Në fund edhe një koment për Armando Brojën, i cili u zëvendësua në pushim.

“Është e vështirë të luash me këto skuadra, pasi nuk hapen, qëndrojnë pas si ekip dhe janë të fortë fizikisht. Nëse nuk shënon në 2-3 rastet që krijohen ndeshja bëhet më e vështirë. Nuk ishte agresiviteti i duhur, në fundjavë lojtarët kanë ndeshje me klubet e tyre, ata druhen disi në duelet për top.

Asllani? Në miqësore duhet t’i aktivizosh të gjithë lojtarët. Impenjimi dhe dëshira ishin të mëdha, krijuam disa raste. Jam i kënaqur me këto dy miqësore, Asllani është një lojtar me cilësi dhe të ardhme.

Ndeshjet zyrtare do t’i përgatis edhe unë më mirë, nuk kishim kohën e duhur për t’u përgatitur, vetëm dje erdhëm në Shqipëri, por më pëlqeu impenjimi i djemve.

Broja? Ai nuk ishte në 100%, kishte një problem në kavilje, folëm në pushim dhe më pas e zëvendësova. Në momentin që ndizet është e pamundur për ta ndalur, por është e vështirë të shprehë gjithë potencialet e tij në këto lloj ndeshjesh, sidomos edhe prej faktit që nuk ishte mirë fizikisht”, deklaroi Reja.