Rejan Alivoda është pa diskutim zbulimi i këtij sezoni në Kategorinë Superiore. Trajneri Mirel Josa i besoi 19- vjeçarit shkodran dhe pas 12 javësh kampionat ai rezulton titullar në tetë ndeshje nga 10 të luajtura në total deri më tani.

Mesfushori i qendrës i ka bindur të gjithë me lojën e tij, madje duke i imponuar trajnerit Josa që pavarësisht rikthimit të Lorik Boshnjakut nga dëmtimi, të luajë me tre mesfushorë që kanë thuajse karakteristika të njëjta.

Pra, përveç Boshnjakut, në fushë kanë qenë njëkohësisht edhe Alivoda e Jonuzi. I riu shihet si e ardhmja e klubit shkodran dhe jo më kot drejtuesit firmosën një kontratë afatgjatë me të, me synimin që në vazhdimësi ta shesin në një klub europian, duke qenë se është kontingjent edhe i Kombëtares U-21.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Alivoda tregoi se ëndrra e tij është të shpallet kampion me Vllazninë, ndërsa ylli botëror që e frymëzon është francezi Pol Pogba.


Ju vjen keq që nuk arritët të fitonit Superkupën?

Ndiej keqardhje për humbjen e Superkupës, pasi u munduam të bënim më të mirën tonë dhe patëm shumë raste. Gjithashtu si here e parë që isha pjesë e një finaleje në Superkupë, kisha shumë dëshirë që të dilnim fitues.


Filluat si zëvendësues sezonin, por tani jeni një nga zbulimet e Vllaznisë?

E kam menduar të jem pjesë e formacionit pasi çdo ditë e më tepër jam stërvitur intensivisht, duke shpresuar që të arrij të jem edhe titullar dhe do të vazhdoj të punoj sa më fort duke dhënë maksimumin tim.


Cila është ëndrra juaj me Vllazninë, por edhe në aspektin personal?

Ëndrra ime është që të shpallem kampion me këtë ekip, ndërsa në aspektin personal, dëshiroj të bëj paraqitje sa më dinjitoze në vazhdim.

Kë keni lojtarin tuaj të preferuar, që ju frymëzon disi?

Lojtari që më pëlqen është Pol Pogba, pasi është në rolin tim dhe më pëlqen stili i lojës së tij.


Të hënën luani ndaj Egnatias, si e shikoni këtë takim?

Takimin me Egnatian e shoh mjaft të rëndësishëm për ne, pasi jemi të impenjuar duke u stërvitur çdo ditë. Shpresoj dhe dëshiroj shumë që të fitojmë dhe të marrim 3 pikshin.

Objektivi i vetëm është fitorja apo do të ishit i kënaqur edhe me një barazim?

Patjetër që dëshirojmë vetëm fitoren.


Ku e shikoni Vllazninë në fund të këtij viti, ku ju kanë ngelur edhe katër takime?

Shpresoj që të arrijmë të marrim pikët e plota dhe ta mbyllim 2022-shin në vendin e parë.


Do të jetë Alivoda deri në fund të sezonit një nga pikat kyçe të Vllaznisë?

Shpresoj që të jem deri në fund të këtij sezoni një pikë e rëndësishme e ekipit të Vllaznisë. Unë po punoj fort, çdo ditë në stërvitje, për të arritur një gjë të tillë.


Si është të luani krahas lojtarëve me eksperiencë në ekip?

Normalisht edhe eksperienca e lojtarëve të tjerë më ndihmon shumë në fushën e lojës duke më këshilluar gjatë lojës.