Laçi është ndërtuar si një ndërthurje e lojtarëve të rinj, por edhe me eksperiencë në Superiore, si dhe me goditjet e kryera nga drejtuesit nga tregu i huaj. Renato Malota është një nga lojtarët e eksperiencës te kurbinasit, i cili në ndeshjen e fundit ndaj Kukësit shënoi një gol të bukur.
Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” në prag të duelit të titullit me Tiranën, Malota pohoi se te Laçi nuk ka presion sa i përket trofeut madhor.
Ai pohoi se ndeshje të tilla i zgjidh Mentor Mazrekaj dhe të gjithë besojnë tek ai se do ta bëjë edhe ndaj bardhebluve. Lezhjani tregoi edhe ferrin që përjetuan në fillim të sezonit, ku tregon çfarë nuk shkoi me trajnerin malazez dhe cila ishte “receta” që përdori Josa.
Ai ka edhe një mesazh për Orges Shehin. Renato Malota është i abonuar me numrin 13 në fanellë dhe u tregua i gatshëm t’u përgjigjej 13 pyetjeve të gazetës në prag të Tiranës.
Pas humbjes së fazës së parë me Tiranën kur kishit 2 pikë, e imagjinonit se përballja e fazës së tretë me bardheblutë do t’ju gjente si rivalë dhe 3 pikë larg?
Të jemi të sinqertë, jo. Askush nuk e priste që pas atij fillimi “të errët” të arrinim këtu ku jemi tani. Korrektësia nga palët dhe puna e madhe që është bërë në ekip na ka sjellë këtu ku jemi. Kështu që, për këtë gjë jemi të lumtur, pavarësisht se kemi shumë ndeshje para, njëra më e rëndësishme se tjetra.
Çfarë ndodhi me Laçin në startin e sezonit, kur dihet se vinit pas historisë në Europë?
Nuk dua t’i kthehem së shkuarës. Drejtuesit e kanë analizuar dhe e kanë nxjerrë konkluzionin e tyre gjë që s’na përket ne futbollistëve të shprehemi. E rëndësishme është që ekipi pas javës së pestë ka krijuar besim dhe stabilitet, si në lojë dhe në rezultate.
Edhe ju personalisht nuk e nisët mbarë me trajnerin Dejan Vukiçeviç. Çfarë nuk shkoi me malazezin?
Në aspektin personal nuk kishim asgjë me njëri-tjetrin. Nganjëherë futbollisti nuk arrin të kuptohet apo përshtatet me idetë e stafit, gjithashtu edhe anasjelltas. Kanë qenë momente ferri për të gjithë, pasi vinim nga një superparaqitje dinjitoze në Europë dhe të shkonte ashtu fillimi i kampionatit, nuk e mendonte asnjeri.
Cila ishte receta që përdori trajneri Mirel Josa, pasi si ekip jeni gjithnjë në ngjitje?
Trajneri aktual na solli qetësinë që na kishte munguar. Josa solli besimin në grup, diçka që është shumë e rëndësishme për një ekip. Lojtarët kanë qenë, por nganjëherë duhet të përshtatesh edhe ti me futbollistët. Këtë gjë profesor Josa po e bën më së miri me të gjithë, gjë të cilën e tregojnë edhe rezultatet.
A është Laçi për titull, ndonëse duket që publikisht nuk jeni vënë nën presion nga drejtuesit për këtë gjë?
Një ekip në fillim të kampionatit shpalos objektivat sezonalë. Objektivi minimal që na kanë vënë drejtuesit është pjesëmarrja në Kupat e Europës dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur për ta realizuar. Nuk e kemi fare presionin e titullit, pasi ne jemi brenda objektivave si ekip. Le t’ia lëmë kohës, pasi ne jemi një ekip që nuk nënvlerësojmë apo mbivlerësojmë kundërshtarin që kemi përballë.
Të shtunën luani me Tiranën që kryeson dhe ka 3 pikë më shumë se ju. A është ky duel si një finale titulli?
Nuk do ta quaja ashtu, pasi kemi edhe shumë ndeshje para dhe gjithashtu në fazën e fundit ne e presim Tiranën në Laç. Për ne është një ndeshje si gjithë të tjerat, ndaj do të futemi në fushë për të bërë maksimumin dhe për të marrë maksimumin.
Çfarë nënkupton Tirana për Renato Malotën?
Tirana është një emër shumë i madh i futbollit shqiptar. Është ekip që duhet respektuar dhe vlerësuar, por nga ana tjetër kohët kanë ndryshuar. Kohët po tregojnë që dhe klubet “e vogla” po bëjnë mjaft mirë, pasi ke raste sa të duash edhe në botë ku ekipet e vogla kanë thyer rekorde apo kanë fituar tituj.
Si ia del Laçi ndaj bardhebluve?
Këtë gjë e di vetëm ai lart, Zoti. Ne do të futemi për të dhënë dhe marrë maksimumin në këtë ndeshje. Tirana ka treguar se ka sulm të rrezikshëm.
Si mbrojtës, ju dhe shokët e ekipit si mund ta ndalni Seferin dhe ish-shokun e skuadrës, Xhixhën?
Është e vërtetë që ata kanë shumë cilësi në sulm dhe duhet të kemi kujdes. Por, të mos harrojmë se përballë kanë një ekip si Laçi, që kemi bërë mjaft mirë në fazën mbrojtëse. Më mirë le t’ia lëmë fushës se çfarë do të prodhojë në këtë takim.
Me Kukësin shënuat një gol model, e ëndërroni edhe të shtunën ndaj Tiranës?
Jam i lumtur për atë gol që shënova ndaj Kukësit, pasi ndihmova edhe ekipin që të arrinte te fitorja. Për ne, ndeshja ndaj Kukësit ishte një nga përballjet më decizive, sigurisht si ajo që patëm ndaj Vllaznisë në shtëpi. Them kështu, pasi këto dy ekipe realisht janë rivalët tanë. Ndaj Tiranës dua që të mos dalim pa pikë nga ndeshja.
Me Mazrekajn u kombinuat bukur te goli që i shënuat Kukësit. Ju apo Mentori mund ta zgjidhni ndaj Tiranës?
Absolutisht Mentori është njeriu që i zgjidh gjithmonë ndeshjet e vështira. Ndaj, të gjithë kemi besim se ai do të jetë një pikë kyçe në këtë ndeshje.
Me Orges Shehin keni qenë shokë skuadre te Partizani i kohëve të vështira. Keni ndonjë mesazh ndaj tij, tani si trajner i Tiranës?
Gëzoj respekt për profesor Gesin. I uroj shumë suksese në karrierën e tij, por jo në ndeshjen kundër nesh (qesh).
Sa ka ndikuar largimi i Regi Lushkjes te Laçi?
Së pari, dua t’i uroj shumë suksese Lushkjes, sepse është një lojtar dhe djalë shumë i mirë. Kemi raporte të shkëlqyera bashkë. Lushkja ka qene një lojtar kyç në ekipin tonë. Ka qenë ai që ka zgjidhur shumë ndeshje dhe është normale që mungesa e tij të ndihet. Por të mos harrojmë se lojtarët që po e zëvendësojnë, Ujka dhe Qato, po bëjnë shumë mirë.