Java e parë e fazës së katërt të Kategorisë Superiore ka dekretuar edhe zyrtarisht rënien e Flamurtarit në Kategorinë e Parë duke dhënë verdiktin e parë të këtij edicioni. Klubi vlonjat që ka qëndruar gjithë sezonin në vendin e fundit në klasifikim, tashmë edhe matematikisht e ka të pamundur të arrijë qoftë edhe zonën play-out në javët e mbetura e kësisoj duhet të fillojë të mendojë për zbritjen më poshtë pas humbjes 1-0 ndaj Skënderbeut.

Të njëjtin fat mund ta ketë në javën e ardhshme edhe Luftëtari, të cilin vetëm matematika e mban në Superiore, duke mbyllur diskutimin sa i përket rënies direkte nga kategoria. Sa i përket zonës play-out, aty tashmë në garë janë Vllaznia dhe Partizani me nga 38 pikë, ndërsa një më shumë ka Bylisi i cili i parakaloi me atë sukses në ekstrem ndaj Teutës.

Ndërkaq, vazhdon marshimi i tre skuadrave që mbajnë vendet e para në kalsifikim. Tirana e Egbo kaloi pa asnjë lloj rezistence Luftëtarin, ndërsa Kukësi gjithashtu kaloi atë që cilësohej si pengesë e fortë por që rezultoi pjesërisht e tillë, Partizanin.

Skënderbeu ndërkohë konfirmon se e do me ngulm zonën e Europës në këtë edicion dhe është e vetmja skuadër që duket se mund të kërcënojë vendin e dytë të Kukësit. /vipsport/