Partizani do ketë një përballje me Vllazninë sot në orën 16:45 në “Loro Boriçi”. Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja ka fituar stabilitet në javët e fundit dhe në Shkodër vjen në një humor të mirë. Para këtij takimi duket se dilemat nuk ekzistojnë për trajnerin kryeqytetas rreth formacionit.

Kështu timonieri i të kuqve pritet ti besojë sërish në portë Aldo Teqjas. Gardiani konfirmohet mes shtyllave pas performancave shumë të mira në javët e fundit. Në krahun e djathtë të mbrojtjes ka një rikthim të rëndësishëm siç është Albion Marku. Në qendër kapiteni Belica dhe Sembene e ndërsa majtas do jetë Musta.

Mesfusha e “demave” pritet të ketë si titullarë treshen e zakonshme të përbërë nga Rrapaj, Kaçe dhe H.Marku. Sulmi po me tredhëmbësh, nga krahët Mala dhe Cara e ndërsa si sulmues kryesor do jetë Stenio Junior. Kjo pritet të jetë edhe 11-tshja që do zbresë sonte në “Loro Boriçi”.

Trajneri Daja duket se nuk heq dorë nga sistemi i tij i preferuar i 4-3-3 dhe në Shkodër do tentojë të marrë pikë. Kjo duke parë edhe ecurinë që kanë pasur 16 herë kampionët e vendit, por edhe objektivat e tyre madhorë në këtë edicion.
Endri ÇINARI