Observatori i futbol lit (CIES) kohë më parë e vlerësonte si lojtarin e katërt me vlerë më të lartë në botë pas Nejmarit, Dembelesë dhe Mbapesë. Në të njëjtën periudhë, Bepe Marota, asokohe ende drejtor i Juves, e cilësonte argjentinasin si të pakëmbyeshëm edhe me të gjithë arin e Bankës së Italisë. Ishte ende viti 2017 dhe argjentinasi replikonte me një dopietë ndaj Barcelonës.

Tjetër rival spanjoll, por Dibala rezultoi përsëri magjik. Po flasim për mbrëmjen e së martës, kur numri 10 bardhezi vendosi ndeshjen ndaj Atletikos së Madridit me një silur nga pozicion i pamundur. Edhe trajneri Sarri do të pranonte pas ndeshjes: “E pashë të përgatiste goditjen dhe mendova me vete se çfarë dreqin kërkonte të bënte Paulo”. Pak sekonda me pas dhe “La Joya” do të habiste këdo që po shihte ndeshjen me një magji futbollistike.

VLERA

Në korrik, Juventusi do të ishte kënaqur me 80 milionë euro në këmbim të kartonit të tij, teksa brenda pak muajve djaloshi i lindur në Laguna Larga ka dyfishuar vlerën e tij. Tashmë “La Joya” vlen 150 milionë euro dhe, si çdo kampion, ekzaltohet në ndeshjet e mëdha dhe shënon gola fantastikë me numrin 10 mbi shpinë. 26-vjeçari ka përfituar përvojën e mjaftueshme për të mos vuajtur presionin e shokëve të ekipit, si Ronaldo te Juvja apo Leo Mesi tek Argjentina. Ai pranon edhe stolin, teksa kur i jepet mundësia vulos rezultatet e ndeshjeve siç ndodhi edhe tri net më parë. Paulo ka rigjetur lumturinë e viteve të para juventine kur argëtohej dhe argëtonte.

Merita është e pjekurisë së arritur, por edhe një trajneri mendor që e ka ndihmuar të mos humbasë besimin në momentet e vështira. Pjesën tjetër e ka bërë puna në stërvitje, ku Dibala u ka kushtuar vëmendje disa detajeve që i kanë rikthyer shkëlqimin dhe rritur reflekset në fushë.

Familja dhe e dashura Oriana kanë kryer pjesën tjetër të punës mbi kampionin e Juves. Në mes të këtyre aspekteve pa dyshim është edhe Mauricio Sarri. Trajneri bardhezi e ka rikthyer “La Joya”-n në vijën e parë dhe nuk i kërkon më të bëjë mesfushorin e shtuar si në kohët e Alegrit.

“Impossible is nothing” (E pamundura është asgjë), shkruante dje në “Istagram”, teksa komentonte golin ndaj Atletikos, një perlë mbi të cilën të paktë do të kishin vënë bast tre muaj më parë.

INTERES – Ndaj Paulo Dibalës nuk ka munguar kurrë interesi nga klubet e tjera. Mançester Junajtid e ndoqi gjatë në verë, teksa emisarë të klubit anglez kanë qenë të pranishëm edhe të martën në “Allianz”. Krahas tyre, janë pikasur edhe homologët e Totenhemit, të cilët janë nisur me urdhër të vetë Zhoze Murinjos.

Vendosmëria e britanikëve është e madhe dhe mediat në ishull flasin se të dyja klubet janë gati të bëjnë orvatjet e tyre për të siguruar shërbimet e argjentinasit. “Ankandi” do të nisë nga një bazë fillestare prej 150 milionë eurosh, por edhe pse Marota është transferuar tek Interi, parimi i Juventusit nuk ka ndryshuar: Dibala nuk shitet as për të gjithë arin e Bankës së Italisë.