Islanda është një histori e pabesueshme, por një realitet i ri për futbollin botëror. Nuk ka sesi të shpjegohet ndryshe, sesi një vend me 350.000 mijë banorë të arrijnë rezultate madhështore.

Fillimisht Islanda do të kualifikohej për herë të parë në histori në një Europian, ashtu si edhe Shqipëria, teksa do të na bashkohej në Francë 2016. E ndërsa kuqezinjtë nuk mund të përsërisnin suksesin në Botëror, islandezët shkuan më tej.

Duke lënë mbrapa Kroacinë dhe Turqinë, Islanda kaloi si kokë grupi në Botërorin e Rusisë, duke i bërë të gjitha mediat botërore të kthenin kokën tek kjo Kombëtare. Nga vjen ky sukses dhe si është e mundur një gjë e tillë? Faktikisht, asnjëherë një sukses nuk mund të jetë rastësi, e për më tepër nëse është i përsëritur.

Islanda ka investuar shumë në futboll gjatë kohëve të fundit, teksa po merr rezultate jo vetëm me Kombëtaren e parë, por edhe me të rinjtë. Rreth 150 arena artificiale janë vënë në shërbim të të rinjëve, të cilët mund të luajnë futboll edhe në dimër. Rreth 30 fusha me madhësi të plota gjenden në këtë vend, ndërsa 7 prej tyre janë ambiente të mbyllura.

E gjithë vëmendja e islandezëve është për futbollin bazë dhe investojnë shumë tek të rinjtë, ndërsa kjo shihet edhe nga përbërja që ka në Kombëtare. Pak të njohur në Europë, por shumë të njohur brenda Islandës, jo më kot janë etiketuar edhe si “fëmijët e brendshëm”. /Shqiperia.ch/