Fundi i ndeshjes së sotme mes Juventusit dhe Xhenoas, pa Kristiano Ronaldon të largohej shumë i inatosur nga fusha e lojës. Portugezi kërkonte me çdo kusht të shënonte por nuk ia doli që të gjente rrjetën në këtë duel. Në fund, ai u fotografua teksa hiqte fanellën dhe e vërviste drejt një prej djemve q mbledhin topat dhe për shumë tifozë ky gjest u interpretua si mungesë respekti ndaj fanellës.

Vetë Pirlo pas ndeshjes deklaroi se Ronaldo kishte qenë shumë i inatosur por nuk e shihte si diçka problematike. “Ishte inatosur pasi nuk shënoi, është normale që një lojtar i kalibrit të tij do të përmirësohet gjithmonë. Kemi patur disa situata të cilat mund të shfrytëzoheshin më mirë. Pastaj është normale që dikush që dëshiron të përmirësohet gjithmonë të inatoset.

Kampionët duhet të kenë gjithmonë objektiva në mendjen e tyre. Ai ka çdo vit mundësinë që të fitojë garën për golashënuesin. Sot ka patur disa situata në të cilat mund të shënonte por nuk ia doli. Objektivat personale duhet të jenë gjithmonë brenda skuadrës, nëse Ronaldo bën 35 gola, është normale që Juventusi të fitojë ndeshjet.

Gjobë për fanellën? Nuk e besoj. Kur u mbyll ndeshja ishte i inatosur siç u ndodh shumë lojtarëve, mund të ndodhë të kesh momente nervozizmi dhe nuk besoj se do të gjobitet nga klubi apo trajneri”, tha Pirlo pas sfidës. /vipsport/