Emri i Kristiano Ronaldos nuk mund të zbehë kurrë atë të Ronaldos original, “Fenomenit” i cili çmendi të gjithë botën me golat e tij para se në skenë të dilinin CR7 dhe Mesi. Luis Nazario Da Lima la futbollin e luajtur si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve dhe po tregohet special edhe si president klubi.

Që kur mori drejtimin e Real Vajadolid, ai është përgëzuar për disa zgjedhje që ka bërë në aspektin teknik dhe të menaxhimit të situatave e tani po merr vlerësime edhe për atë që po bën gjatë emergjencës së koronavirusit.

Ai ka vendosur që të refuzojë në emër të skuadrës testet për sa kohë që ekipi është mirë e askush nuk shfaq probleme duke respektuar rregullat.

“Ky është një moment i vështirësisë ekstreme dhe si rrjedhojë edhe e sakrificave ekstreme. Zgjidhja më e mrië, siç e thonë të gjithë, është të qëndroish në shtëpi. Unë po e bëj ashtu si shumë të tjerë me idenë për të mundur sa më parë këtë kundërshtar.

Ne si skuadër kemi refuzuar që të bëjmë testet për koronavirusin. Ka shumë persona të cilëve u nevojiten këta tamponë më shumë se ne”, tha Ronaldo. /vipsport/