Për shumëkënd mund të duket një çudi. Realisht edhe për mua personalisht ndonëse kam mbi 20 vite që merrem me gazetari, madje shumë i dhënë edhe pas historisë së sportit shkodran kryesisht. Aktorja e mirënjohur Roza Anagnosti përveçse e madhe në këtë profesion, mësohet të ketë qenë edhe sportiste.

Ajo në rininë e saj është marrë me gjimnastikë duke përfaqësëuar ekipin e Vllaznisë si në kampionatin kombëtar ashtu edhe në Spartakiadën e Parë Kombëtare të zhvilluar në vitin 1959. Këtë e ka “zbuluar” Dashamir Sherja në librin e tij të sapobotuar “Enciklopedia e sportit shkodran”.

Duke i hedhur sytë tek sporti i gjimnastikës, rastësisht na zuri syri emrin e Roza Xhuxhës (Anagnostit). Ja çfarë shkruhet në këtë libër për të: “Roza Xhuxha (Anagnosti) u lind më 27.10.1943, një vajzë e vogël mjaft simpatike që pëlqen shumë sportin dhe artin. është në rrethet artistike e sportive të shtëpisë së pionierit në Shkodër ku dallon në gjimnastikë dhe në recitime.

“Shkodra Sport” mëson se në moshën 11-12 vjeçare bie në sy të njrës prej kuadrove më të apasionuara të gjimnastikës, Nurije Ramës e cila kujdeset për ta tërhequr në rradhët e gjimnastikës.E mëson të interpretojë me saktësi ushtrimet në vegla dhe ato të lira të cilat i pëlqen shumë. Dallon edhe në paralelen e shkallëzuar.

Në vitin 1957 kur nuk ishte as 14 vjeçe merr pjesë në kampionatin kombëtar të gjimnastikës bashkë me të motrën Angjelinën dhe me shoqen e saj Marije Hajati si dhe disa shoqe të tjera shkodrane. Vazhdon të stërvitet me pasion e këmbëngulje aty tek palestra afër Kafes së Madhe (ish- kinema Rozafat),  e cila u dogj dhe më pas u adaptua në palestër.

Sipas kujtimeve të zonjës Roza, aty në atë palestër stërviteshin të gjithë sportistët shkodranë. Në vitin 1959 do të zhvillohej Spartakiada e Parë Kombëtare në Tiranë. Një eveniment sportiv me shumë rëndësi. Shkodra merr pjesë me ekipin e femrave në gjimnastikë dhe ndër vajzat pjesmarrëse është edhe Roza Xhuxha që tani ishte 16 vjeçe.

Në ushtrimet e ekzekutuara me bukuri dhe elegancë, ajo meritoi duartrokitjet e publikut të shumtë dhe bën një figurë mjaft të mirë në këtë paraqitje. Merr pjesë edhe në kampionatin kombëtar një vit më pas dhe pastaj tërhiqet nga gjimnastika dhe i kushtohet artit skenik.

Tashmë njihen nga të gjithë spektatorët shqiptar performancat e artistes nga Shkodra Roza Xhuxha (Anagnosti) që ka hyrë edhe në historinë e sportit shkodran si një pjesmarrës cilësore në gjimnastikë dhe si pjesmarrës në të parë Spartakiadë kombëtare shqiptare”.
Gjergj KOLA