Skuadra velipojake nuk po gjen “derman” me pankinën. Edhe trajneri i emëruar pak javë më parë- Zamir Lumani, ka vendosur të mos e vazhdojë më këtë detyrë. Duket se kjo ka ardhur nga arsyet personale megjithatë tashmë është fakt i kryer që ai nuk do ta vazhdojë më këtë punë pavarësisht se nën drejtimin e tij Ada pati disa rezultate pozitive madje ajo tashmë është në vendin e pestë në renditje. Tashmë mbetet për t’u parë se kush do ta drejtojë këtë ekip në ndeshjet e ardhshme. Në fillim të sezonit trajner ka qenë Ersi Çaku që u largua pas disa javësh, më pas ai u largua dhe për dy-tre ndeshje trajner ishte Etrit Nika derisa erdhi Zamir Lumani.

Tashmë është hera e katërt që do të ketë një emër të ri në timonin e kësaj skuadre. Gjasat janë që në pankinë të ulet sërish Etrit Nika, trajner i Akademisë së Adës. Atë mund ta ndihmojë edhe Albert Kaçi që është i federuar si futbollist me këtë ekip. Një ndryshim i tillë në pankinë vjen në fakt në një moment jo të përshtatshëm sepse Ada ndodhet përpara dy ndeshje të rëndësishme me dy skuadrat kryesuese të kampionatit, Vorën dhe Veleçikun. Gjithsesi, velipojakët pritet që edhe me këto ndryshime rezultatet pozitive të vazhdojnë edhe në ndeshjet e ardhshme.

© shkodrasport.com