Pesë ndeshje në Seria A me Veronën dhe një gol. Marash Kumbulla ka fituar një vend titullari në radhët e veronezëve dhe këtë synon që ta bëjë edhe me fanellën kuqezi. Kumbulla shihet si një nga mbrojtësit me perspektivë, që pritet t’i shërbejë për një kohë të gjatë Kombëtares sonë.

Ka qenë vetë trajneri Edi Reja që e ka zbuluar dhe këtë e thotë edhe vetë Kumbulla në një intervistë që ka dhënë për “Rtshsport”, ku ndër të tjera ka theksuar se: “Kam nisur që të luaj futboll që në moshën 8-vjeçare dhe kam ndjekur të gjitha hapat derisa unë shkova në ekipin e parë. Në fillim ka qenë thjesht një lojë për mua. Nuk kisha presion. Kur kuptova që mund të bëja diçka te Verona në ekipin e parë bëra shumë sakrificë. Tani që jam pjesë e ekipit të parë dua që të bëjë gjithmonë e më mirë”.

Trajnerët

Si Juriç te Verona, ashtu edhe Edi Reja, kanë qenë një “dashuri me shikim të parë” për mbrojtësin shqiptar. “Trajnerët më dhanë besim dhe duke ndodhur kështu kuptova që mund të luaj dhe të bëj më të mirën time. E ndieja edhe vetë që isha mirë. Trajneri Juriç më dha shumë besim në stërvitje dhe në ndeshjet miqësore te fazës përgatitore.

Atëherë e kuptova që mund të luaja në ekipin e parë. Në korrik më thirri trajneri Edi Reja dhe më tha se i pëlqej si lojtar. E madje më ka ndjekur edhe në miqësore. Më tha që do të më thërrasë dhe isha shumë i gëzuar dhe emocionuar, por sidomos prindërit dhe familja ime. Nuk e prisja dhe kur më erdhi ftes, sigurisht që kam qenë shumë i gëzuar. Është shumë bukur kur luan në Kombëtare dhe shpresoj që të vijojmë kështu”, – tha Kumbulla ndër të tjera gjatë intervistës.