Nisja e mbarë e kampionatit të ri, padyshim që i ka motivuar edhe më shumë basketbollistët e Vllaznisë dhe stafin teknik të saj për të vijuar në të njëjtën mënyrë ecurinë e mëtejshme të tij. Fitorja ndaj “Barleti Eagles” javën e kaluar ka qenë “detyrë shtëpie” për kuqeblutë, por tashmë gjërat do të bëhen edhe më të vështira sepse kalendari sa vjen e bëhet më i vështirë.

Në javën e dytë, ekipi shkodran do të udhëtojë drejt kryeqytetit për t’u ndeshur me Partizanin. Sipas Federatës Shqiptare të Basketbollit, kjo ndeshje do të luhet ditën e shtunë në orën 19.00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

Kjo padyshim që është një sfidë shumë e vështirë sepse përballë Vllaznisë do të jetë një ekip si Partizani i cili i ka bërë një nisje të mirë kampionatit, duke fituar ndeshjen e parë brenda në Durrës ndaj Teutës pretendente.

Ky është një tregues se kuqeblutë do të kenë një përballje shumë të vështirë por nëse ka një impenjim maksimal të të gjithë lojtarëve, mund të kalohet me sukses. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve, drejtuesit e shoqatës së basketbollit Vllaznia kanë intensifikuar lëvizjet për të bërë të mundur ardhjen e dokumentacionit për tre basketbollistët amerikanë të cilët nuk u lejuan të aktivizoheshin ndaj Barleti Eagles.

Pritet që deri të shtunën gjithçka të jetë në rregull dhe ata të luajnë, sepse nëse ndodh ndryshe do të jetë një problem shumë i madh për ekipin shkodran sepse e gjithë loja e tij është bazuar tek këto basketbollistë. Vllaznia e sivjetme është ndërtuar për të qenë pretendente për fitimin e trofeve dhe prandaj objektivi i saj duhet të jetë fitorja në çdo ndeshje.
www.shkodrasport.com