Igli Tare ka qenë pro tagonist i episodit të radhës për emisionin “Merkato që na pret” në rrjetin “SKY”. Në intervistën e tij, drejtori i Lacios ka prekur disa tema lidhur me klubin ku punon, por edhe për merkaton të cilën e parashikon plot me vështirësi, sidomos të aspektit ekonomik.

Merkatoja do të jetë e ndryshme me vitet e kaluara. Parashikoni më shumë shkëmbime apo për Lacion nuk ndryshon asgjë?

Do të ndryshojë dhe kjo vlen për të gjithë, sepse ajo që ndodhi ishte diçka e fortë e që ndodh vetëm një herë në jetë. Për pasojë, na duhet të përshtatemi. Do të quhet fantazi, por edhe qartësi në mendime për të planifikuar të tashmen dhe të kaluarën.

Si e keni përjetuar këtë periudhë pasigurish, sidomos në punën tuaj?

Në aspektin privat kanë qenë tre muajt më të bukur të karrierës sime. Më në fund pata më shumë kohë për familjen, fëmijët dhe gruan. Të qëndruarit së bashku më mungonte. Nuk jemi mësuar të kalojmë kaq shumë kohë së bashku dhe në njëfarë mënyre ishte diçka e bukur. Në anën profesionale e kam pasur të vështirë sepse nuk e kuptonim se si mund të bashkëjetohej me virusin. E prisnim rifillimin pak më herët, por po përshtatemi.

Më 30 qershor skadojnë shumë kontrata, por Lacio nuk e ka këtë problem pasi ka pak lojtarë në skadencë. Keni diskutuar me ndonjërin nga këta “problematikë”?

Lacio nuk është nga ato klube që bën këto lloj operacionesh. Jemi përpjekur gjithmonë të sigurojmë pronësinë e lojtarëve tanë dhe huazimi, siç u pa, është një situatë që të krijon vështirësi. Mes lojtarëve që kemi refuzuar, vetëm Durmishi ka mbyllur sezonin (luan në Francë), por i kemi dhënë leje të qëndrojë.

Pra keni folur me klubet e tjera?

Po dhe kemi dhënë miratimin tonë. Tashmë zgjedhja u takon lojtarëve, por besoj se do të qëndrojnë aty ku janë deri në fund. Deri tani nuk kemi marrë ndonjë sinjal pakënaqësie nga lojtarët që kanë lidhur emrin e tyre me atë të Lacios.

Po për rinovimet çfarë plani keni?

Do të na duhet të presim datën e fillimit të kampionatit të ardhshëm pasi vetëm ashtu mund të programojmë të ardhmen. Si ne, ashtu edhe lojtarët e dinë që do të gjendet një zgjidhje. Synimi ynë është që t’i vendosim të gjithë në kushtet ideale për të dhënë më të mirën e për të shpërblyer investimin që klubi ka bërë mbi secilin.

A kanë pësuar lojtarët ulje çmimi? Po të tjerë si Milinkoviç-Saviç, Imobile apo Luis Alberto do të cenohen në vlerë?

Ajo që mund të them me bindje është se Lacio nuk ka nevojë të shesë askënd, gjithsesi nuk besoj se lojtarët e klasit do të zhvlerësohen. Diçka e tillë mund të ndodhë me ata mesatarë.

Ky është avantazh apo jo për ju pasi lojtarët e cituar i keni siguruar me çmime të arsyeshme?

Klubet do të bëjnë vlerësimet e tyre në bazë të parashikimeve për të ardhmen, e cila nuk duket fort e sigurt. Dukshëm situata mund të favorizojë disa shoqëri që në këto kushte mund të zhvillojnë një merkato si ajo që dëshironin. Për mendimin tim, kushtet për të punuar mirë janë të gjitha.

Saviç duket shumë i shtrenjtë, ndërsa për Imobilen thuhet se e kërkon Napoli?

Milinkoviç-Saviç ka një raport fantastik me Lacion dhe tifozët e kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Në anën tjetër na duhet të bëjmë një sërë vlerësimesh, të cilat do të kryhen në momentin e duhur duke mbajtur parasysh të mirën e të gjitha palëve. Sa i përket Imobiles, Napoli nuk na e ka kërkuar kurrë. Lidhja lojtar-klub është e fortë dhe e tillë do të mbetet.

Pra, Milinkoviç-Saviç vazhdon të vlejë 100 milionë euro?

Nuk jam fort i zoti me shifrat dhe nuk marr vesh nga këto vlerësime. Sergej është një lojtar klasi dhe kjo është e sigurt. Çdo gjë tjetër mund të jetë shkas për të diskutuar.

A do të ndikojë në merkato renditja në fund të sezonit? Kujtojmë se pjesëmarrja në Champions për Lacion vlen 15 milionë euro më tepër.

Nuk është çështja se sa paguajmë për një lojtar. Rëndësi kanë karakteristikat dhe sa të dobishme janë ato për skuadrën. Shembull i kësaj që them është Kaisedo. E blemë për cilësitë e tij dhe po na e shpërblen besimin. Një afrim, sipas mendimit tim, duhet të ketë kuptim.

Lacio ka një lidhje direkte me Salernitanën ku ka huazuar 6 lojtarë. A ju jep ndonjë avantazh ky lloj raporti?

Kam shumë simpati për klubin e Salernitanës, por veçanërisht i lidhur jam me qytetin. Herën e fundit që kam qenë ishte për një ndeshje play-out kundër Venecias dhe vlerësova shumë entuziazmin. Janë një shoqëri fantastike dhe meritojnë të ngjiten në kategori. Në anën tjetër qëndron lidhja profesionale sepse e dimë që mund t’i besojmë Salernitanës sa herë i huazojmë ndonjë djalosh nga skuadra tona zinxhir.

Përse pikërisht Salerno?

Sepse klubi dhe tifozët janë kërkues, por edhe sepse kanë durimin për të pritur rritjen e lojtarëve duke i bërë më të pjekur. Salernitana është një skuadër ku një futbollist i ka të gjitha mundësitë për të treguar nëse mund të luajë apo jo edhe për Lacion. Lidhjen me Salernon e përdorim në dy mënyra sepse e dimë rëndësinë e asaj skuadre dhe se çfarë mund t’i japë një lojtari në nivel përvoje. Uroj që të rikthehen sa më shpejt në Serinë A sepse e meritojnë.

Çdo vit keni afruar një ose dy lojtarë pa cenuar skeletin e ekipit. Më duket se do të ishit i lumtur nëse sivjet nuk ka merkato.

Jam shumë i lidhur me të gjithë djemtë e grupit dhe kam kënaqësi të punoj me stafin e Inzagit. Do të doja që të gjithë ta mbyllnin karrierën te Lacio, por e di që është e vështirë. E kam ëndërruar gjithmonë një lidhje të tillë mes klubit, lojtarëve dhe tifozërisë. Vështirë të përmirësohet, por do të mundohem të bëj edhe më tepër.

Edhe bashkëpunimi me Simone Inzagin do të zgjatet?

Trajneri është përparësia jonë, sepse punën e tij po e shohim të gjithë. Lidhja e tij me klubin shkon përtej normales, sepse ai është historia e Lacios duke qenë se ka 20 vjet këtu. Mund të them se askush nuk e ndien peshën e fanellës më shumë sesa ai.

Si i përzgjidhni futbollistët? Cilët janë Milinkoviç-Saviç i ri apo Luis Alberto i ardhshëm?

I kam gjetur, por nuk do t’i them as sikur të më vrasin. Jetesa në një qytet si Roma është e vështirë dhe më ka bërë njeri më të rezervuar. Merkatoja ka shumë të papritura, si për mirë, ashtu edhe për keq. Nuk po them se fshihem, por mundohem të punoj në qetësi sa më të madhe. Bëj gjithmonë kujdes në marrëdhëniet e mia.

Çfarë thoni nëse ju përmendim Adrielsonin e Resifes dhe Suarezin e Uotfordit?

Mbrojtësin brazilian nuk e njoh më besoni. Nuk kam folur kurrë për të. Mund të jetë një lojtar i madh, megjithatë nuk është në listën tonë. Afrimet e Lacios do të bëhen në bazë të nevojave, siç është blerja e Eskalantes nga Eibari. Së bashku me trajnerin do të bisedojmë dhe do të vendosim për afrimet e tjera. Ndërprerja e sezonit na i ndërlikon disi punët pasi në këtë periudhë duhet të ishim duke folur për merkato, ndërkohë që duhet ende të mbyllim kampionatin.

Pra nuk ka ende një fillim merkatoje për ju?

Për ne është një situatë delikate sepse kemi një përfundim kampionati për të zhvilluar dhe siç e dini, jemi në garë për të bërë historinë. Do të nevojitet përqendrimi maksimal në kampionat e më pas, në momentin e duhur, do të bëjmë edhe lëvizjet tona në merkato. Deri në atë çast do të mbyllemi hermetikisht, sepse kemi një ëndërr për të cilën kemi punuar e që duam ta bëjmë realitet.

Si e imagjinoni rinisjen e sezonit?

Ky aspekt është një pikëpyetje e madhe për të gjithë ne që jemi pjesë e kësaj bote. Nuk është e lehtë të japësh një përgjigje të saktë. Uroj që Lacio ta nisë në mënyrën se si po ecte kur kampionati u ndal. Pres vështirësi, por njëkohësisht e di që çdo skuadër do të ketë mundësitë e saj.

Çfarë doni të thoni?

Kur sezoni nuk kishte ndaluar, të gjithë thoshin se Lacio ka avantazhin e të mosmarrjes pjesë në të tjera kompeticione. Tani ky dallim nuk ekziston më, ndaj skuadra, mentaliteti dhe entuziazmi do të jenë faktorë me shumë rëndësi. Do të jetë një rrugëtim i shkurtër, por shumë i ngjeshur duke qenë se do të luhet çdo tri ditë. Do të duhet të jemi të aftë të ruajmë energjitë dhe motivimet në këto javë.

A përfaqëson Zhiru një rast të humbur për të përforcuar ekipin?

Nuk u fsheha në janar e as që kam në plan ta bëj tani diçka të tillë. Në ditët e fundit të merkatos patëm mundësinë për të afruar Zhirunë, madje u munduam shumë sepse edhe pse 33 vjeç, e cilësonim si një lojtar në gjendje për të bërë diferencën në fushë.

Çfarë ndodhi atëherë?

Pata mundësi të njihem me sulmuesin dhe përveçse një profesionist, pata rastin të njoh një njeri shumë të këndshëm. Që në momentin e parë e kuptova se përparësia e tij ishte qëndrimi në Londër duke qenë se jeton familjarisht aty prej shumë vitesh. Brenda vetes e shihja si mundësi edhe për verën, por njëkohësisht e dija se ai do të qëndronte te Çelsi edhe sikur mundësia për të rinovuar kontratën të ishte fare e vogël.

Çfarë mund të na thoni për kontaktet me Milanin?

Vjet isha në bisedime, por tashmë e dinë të gjithë. Që i vogël kam qenë tifoz i Milanit. Kam pasur simpati të madhe për Van Basten, Gulit, Rajkard e jam rritur me mitin e Milanit të Sakit, por kur m’u kërkua të merrja një vendim, kuptova se tashmë është Lacio në zemrën time, ndaj jam i sinqertë kur deklaroj se jam lacial. Lidhja ime me këtë klub shkon përtej profesionit. Skuadra aktuale është një krijesë të cilën e kemi formuar vit pas viti. Tani shoh frytet e gjithë punës sonë e lidhja ime me Lacion bëhet edhe më e fortë. Për ta mbyllur.

Si e parashikoni merkaton e verës?

Të varfër (qesh).