Te Vllaznia nuk kanë fund hallet. Edhe pse Këshilli Bashkiak dha pak ditë më parë “dritën jeshile” për rrogat e prapambetura, lojtarët nuk kanë marrë ende asgjë. Të lodhur nga pritja, ata i kanë vënë ultimatum Bashkisë Shkodër. Nëse deri sot nuk do u kalojnë paratë në llogaritë bankare, atëherë s’do të nisen as në Vlorë.

Burime për “Panorama Sport” zbulojnë se ky është plani i futbollistëve për këtë histori. Pasi kanë diskutuar dje mes tyre, kanë vendosur këtë kusht.

Afati final

Stërvitja e fundit para transfertës me Flamurtarin do të kryhet sot në orën 11:00. Kuqeblutë janë të vendosur që ta zhvillojnë edhe këtë seancë, e më pas do të mbeten në pritje të klubit.

Nëse do të likuidohen brenda afatit, atëherë do të nisen në Vlorë dhe do të jenë gati që të luajnë me Flamurtarin për llogari të javës së 27-të. Futbollistët në fakt pritën që dje në stërvitje të vinte administratori dhe t’u jepte një sqarim edhe për çështjet e kontratave, por Suad Lici nuk është dukur.

Mirsad Jonuz është munduar që ta qetësojë grupin dhe u ka kërkuar të tregohen të duruar. “Nesër (sot) do të flasim për pagat, tani duhet të stërvitemi. Të gjithë do të sqarohemi”, u ka thënë para fillimit të stërvitjes lojtarëve trajneri Jonuz, duke u përpjekur t’i bindë që të kenë pak durim derisa drejtuesit t’i japin zgjidhje situatës.