Rubin Hebaj ishte protagonisti kryesor i triumfit të Partizanit në fushën e Kastriotit për takimin e parë të fazës së 1/16 të Kupës së Shqipërisë. Sulmuesi i 15-herë kampionëve realizoi një dopietë dhe dha një asist në fitoren 4-2 të të kuqve.
Pas fitores, 20-vjeçari reagoi për paraqitjen e tij në Instagram duke falenderuar Zotin për këtë nisje fantastike në aspektin personal dhe kolektiv.
“Viti i ri nisi me 2 gola dhe një asist! Faleminderit, Zot!”
Hebaj ka realizuar këtë sezon gjithsej 5 gola (3 në Kupë dhe 2 në derbin e fundit me Tiranën).
Me këtë paraqitje të fundit, sulmuesi i Shqipërisë U21 jep sërish prova se e meriton vendin në formacionin titullar dhe se ai mund të bëhet sulmuesi ideal i të kuqve këtë sezon.
Shoku i skuadrës Jasir Asani beson se me këtë paraqitje të sotme, Hebaj mund të japë maksimumin ndaj Skënderbeut ditën e premte.
Madje njëri prej fansave të tij, i kërkon të bëjë detyrën ndaj Skënderbeut për t’u treguar drejtuesve e Partizani e ka “bomberin” në radhët e veta.
Ndaj kampionëve të Shqipërisë, Hebaj ka shansin të nisë ndeshjen si titullar, por fjalën e fundit do ta thotë trajneri Skënder Gega.