Rudi Vata mendon se Liga e Kombeve duhet të jetë turneu i fundit ku Shqipëria të drejtohet nga Edi Reja. Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, në një bashkëbisedim në “Sport News”, në “News 24”, ka shpjeguar pse e sheh të përfunduar etapën e tij te kuqezinjtë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatores Enxhi Biba, Vata ka shpjeguar se Reja i mbetet fanatik mënyrës së vjetër të futbollit italian dhe jo futbollit modern që kërkojnë emra si Broja, Asllani e Bajrami, të cilëve nuk u jep shanset që kërkojnë.

“Në pjesën e parë pashë një Shqipëri të mirë, një Shqipëri të organizuar e komode, dominuese në mbajtjen e topit, një Shqipëri e sigurt. Ndërsa pjesa e dytë më dëshpëroi dhe çorientoi se nuk arrij ta kuptoj se si ka mundësi që një skuadër të transformohet tërësisht në pjesën e dytë. Janë dy panorama, një profesionale e mirëorganizuar, tjetra një panoramë që nuk i shkon për shtat këtij ekipi kombëtar.

Me këtë grup lojtarësh ekipi kombëtar duhet të jetë konstant dhe të mbytë kundërshtarin dhe të mos krijojë hapësira të tilla dhe momente pasigurie. Shpesh flasim e flasim po na shfaqen vazhdimisht, në forma kronike. Dhe gjithmonë ne flasim për të ardhmen dhe nuk e riparojmë problemin e momentit. Ne flasim shumë për ndeshjen tjetër, por harrojmë dhe na kthehet momenti që na krijon probleme e pasiguri, këto situata. Nuk po formohemi si skuadër.

Nuk po krijojmë trendin e lojës tonë. Grupin e kemi të mirë, me lojtarë të dubluar në të gjitha pozicionet, nuk mbaj mend lojën më të mirë nën drejtimin sidomos të Rejas. Nuk jam anti-Reja, por energjitë e tij për ekipin kombëtar janë shumë minimale. Ky ekip ka djem të ri që luajnë futboll modern, duhet të luajë futboll me sistem modern loje. Mënyra se si funksionon sistemi i Rejës është mediokër, e lexueshme.

Nuk shoh qe kemi një lojë që të jep shpresën e madhe që do të arrijmë nivel të një vendi të madh europian. Lojtarët i kemi, brumi është, problemi është që nuk kemi picajolin e mirë për të nxjerrë picën si duhet.

Skema? Nuk e di, është me të vjetrën. Reja është trajner i shkollës së vjetër italiane të futbollit, nuk është as Konte e as Inzagi. Vjen nga ajo shkolla e vjetër e futbollit italian, katenaçio. Shqipëria ka oreks tjetër tani, nuk kemi me oreksin e viteve ‘90 kur na dilte nudisti aty e kujtonte se ishim ushqim për të. Ne kemi rritur stekën, jemi një ekip kombëtar me lojtarë që kanë cilësi, që janë të uritur për të zhvilluar ndeshje të mëdha, por duhet t’u japësh liri e krijosh skema taktike se për këto paguhen trajnerë. Por loja nuk na gëzon, nuk na jep një lloj optimizmi që të thuhet se me këtë trajner dhe mënyrën si po luajmë kemi shumë mundësi që të mbërrijmë në nivele të mira.

Ju e kuptoni që në edicionin e kaluar kishim një kundërshtar si Hungaria që i morëm 6 pikë në grup dhe e dominuam. Ky kundërshtar tani fiton kundër Anglisë, pra ky kundërshtar ka dalë në konkluzionet dhe ka bërë analizën e performancave të sezonit të kaluar dhe arrin e fiton ndaj një kundërshtari si Anglia. Ne nuk i shohim këto shkëndija tek ekipi kombëtar i yni, nuk e shohim me këtë trajner që na jep shpresë që një ditë mund të fitojmë ndaj Anglisë, Spanjës e Gjermanisë. Unë këtë shkëndijë nuk e shoh.

Është shumë e thjeshtë mënyra se si Reja justifikohet, unë shpresoj që për të mirën e grupit, të ardhmen e futbollit shqiptar, FSHF, presidenti Duka të analizojnë performancat e këtij trajneri dhe sa më shpejt ky trajner në fund të këtij edicioni të Ligës së Kombeve t’i japi dorën ekipit kombëtar dhe të bëjnë projekte teknike që t’i shpërbejnë të ardhmes. Ky grup lojtarësh ka nevojë për një projekt të përgjithshëm.

Nuk mendoj që ka logjikë që t’i besohet më kombëtarja, por në Shqipëri gjithçka mund të ndodhë. Me futbollistët që kemi në dispozicion, sidomos me lojtarë kryesorë si Kumbulla, Gjimshiti, Asllani, Bajrami apo Broja, janë një dimension tjetër. Mund të rrisin me prezencën e kapacitetet që kanë dimensionet e skuadrës, por i shohim shumë pak. Në ndeshjen e fundit kishte edhe lojtarë që nuk janë në formë për momentin.

Asllani e Bajrami jo titullarë? Nuk e kuptoj, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Brojën kur ishte në momentin e tij më të mirë, u la rezervë. Tani nuk preferohet Bajrami e Asllani, duke ditur se futbollistë si Gjasula janë në fundin e karrierës së tyre. Ndërsa këto kanë nevojë që të luajnë që të rriten në ekipin kombëtar. Futbollistë si Asllani që i kërkon gjysma e Europës.

Janë ndeshje ku ata mund të bëjnë hapin e shpresës së madhe në ekipin kombëtar. Nëse ne nuk i shfrytëzojmë kapacitetet e tyre, sigurisht që do të ketë edhe pakënaqësi grupi, do të ketë edhe probleme brenda grupit se në kombëtare duhet të luajë ai që është më i miri i momentit, ai që ka formën për momentin. Këto futbollistë janë më të nevojshmit e ekipit kombëtar.

Mendoj së Reja është ideatori dhe arkitekti i kësaj kombëtareje, ai duhet të jetë personi që merr vendimet absolute, por në këtë mënyrë siç është duke vepruar, po veprohet gabim dhe nuk besoj se do të kemi rezultatet që të gjithë ne dëshirojmë”, tha Vata./PANORAMASPORT/