Trajneri i Vllaznisë Rudi Vata në konferencën e shtypit të pasndeshjes, e ka pranuar superioritetin e kundërshtarit dhe ka thënë se Kastrioti e meritoi fitoren. Por nga ana tjetër, ai ka analizuar edhe gabimet e vërejtura tek skuadra e tij, mbi të gjitha në repartin e mbrojtjes dhe pikërisht këto gabime duhen analizuar në mënyrë urgjente për t’i korigjuar sa më parë sepse ndeshja me Flamurtarin është në prag. Ja si është shprehur Vata për mediat: Kastrioti ka arritur të dominojë me dy gola që ishin të eliminueshëm, madje mund të them me plot gojën se një skuadër profesioniste, nuk duhej t’i kishte pësuar ato gola. Për mendimin tim skuadra krutane e ka merituar plotësisht fitoren, pavarësisht se edhe mund të kishte marrë rrjedhë tjetër rezultati nëse sulmuesit tanë Jabllan dhe Gjini të ishin treguar më të kujdesshëm apo edhe mund të kishim arritur të shënonim penalltinë.

Kishim shanse të mira. Megjithatë Kastrioti tregoi se është një skuadër e mirë dhe solide.  Ne duhet të ndalemi dhe të analizojmë mirë lojën tonë sidomos në prapavijë. Mund të them se është e drejtë që skuadra që u duk se u konsolidua në prapavijë, sot pasoi katër gola. Duhet të ndalemi urgjentisht në gabimet e bëra dhe t’i analizojmë në mënyrë që të mos gabojmë pikërisht në takimet e tjera duke ia filluar që nga përballja që kemi me ekipin e  Flamurtarit”. Shqetësimi për humbjen e pësuar dukej qartë tek trajneri i kuqebluve. Në mendjen e tij natyrshëm kishte bërë plane të tjera megjithatë duhet pritur deri të mërkurën ndaj vlonjatëve të shohim sesi reagon kjo skuadër.

www.shkodrasport.com