Opinion nga ERVIN BAKU

Fundjavën e kaluar dhe të mërkurën, u zhvilluan ndeshjet e javës së 2-të dhe të 3-të të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Në 8 ndeshje u shënuan plot 33 gola, me një mesatare prej 4 golash për ndeshje. Futbollistët tanë që shënojnë kaq pak në kohë të bukur dhe me diell, befas transformohen në Mesi, Ronaldo, apo Ibrahimoviç, në kohë ngrice, lluce dhe bore.

Kam parë disa skena dhe disa gola në disa prej këtyre ndeshjeve, të cilat më kanë lënë me gojë hapur. Mbrojtësit bashkëpunonin aq bukur dhe hapur me sulmuesit kundërshtarë, saqë ty të krijohej ideja se je duke parë një ndeshje kontrolli të një ekipi. Jo jo, jemi në ndeshje zyrtare. Me sa duket, në këtë kohë të Lindjes së Krishtit, qenka bërë e modës që mbrojtësit dhurojnë gola për sulmuesit kundërshtarë. Dhe “dhuratat” këtu në Shqipëri vazhdojnë gjithë vitin. Sa turp! Si mund të tradhëtohen tifozët në këtë farë feje? Nga Durrësi ka ardhur reagimi i presidentit të Teutës Hasanbelliu: “Futbollistët po tallen me të gjithë ne”. Hasanbelliu premton se do të ketë edhe dënime. Le t’i rikthehemi edhe një herë fillimit. Gjithë këto gola, në llucë dhe në borë, kujt i shërbejnë? Për ata që e dinë dhe për ata që nuk e dinë, shumë nga lojtarët tanë dhe shumë nga presidentët tanë të klubeve janë lojtarë të fortë dhe të rregullt të kompanive aziatike të basteve. Nuk dua ta vë gishtin tek ndonjë person konkret, ata identifikohen vetë. Të gjithë ne gazetarët i njohim shumë mirë. Për këto pazare të ndyra flasim të gjithë, çdo ditë. Jam duke u marrë me fenomenin. Bastet kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë. Por ne, të gjithë aktorët e futbollit, duhet të luftojmë dhe ndalojmë fenomenin e paracaktimit të ndeshjeve. Duhet të luftojmë dhe ndalojmë trukimin e ndeshjeve. Nuk mundet dhe nuk duhet të tradhëtohen edhe ata pak tifozë që kanë mbetur në stadiumet tona. Duhet të rikthejmë tifozët nëpër stadiume. Dhe kjo fillon nga vetë gara, nga vetë ndeshja. Të gjithë kërkojmë një garë të drejtë dhe të ndershme. Por, askush nuk bën asgjë. Të gjithë rrinë duarkryq. Dhe gjithë këto gola në llucë dhe borë përputhen me atë, raportin e famshëm, ku në vetëm 30 muaj, plot 97 ndeshje të kampionatit shqiptar të futbollit dyshohen si të manipuluara. Kampionati shqiptar i futbollit është kampionati më i trukuar në Europë. Ky ishte konkluzioni i kompanisë së besueshme “Sport Radar”, e cila ka një marrëveshje me UEFA-n dhe Federatën Gjermane të Futbollit. Konkluzioni i kësaj kompanie serioze nuk na çudit shumë. Në fakt, ne të sportit, këtë e shikojmë çdo javë në të gjitha stadiumet bosh dhe plot të Shqipërisë. Në mos qofshim të parët në trukime, jemi të 5-tët, të 6-tët apo të 10-tët. Por ama, jemi. Aty… Të hënën ndoqa me shumë interes një intervistë të Armando Dukës, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Një intervistë e shkëlqyer. Duka, me të drejtë, i vuri notën 6 kampionatit shqiptar të futbollit. Dhe i ftoi të gjithë, futbollistët, trajnerët, drejtuesit dhe gjyqtarët, të bëjnë maksimumin e tyre për të ndaluar trukimin dhe paracaktimin e ndeshjeve. T’i jepet fund goleadave në llucë dhe borë. Por dhe në kohë të bukur. Në çdo kohë. Të gjithë duam dhe kemi nevojë për një futboll të pastër.