Vllaznia e viteve ’90 ka patur në rradhët e saj disa futbollistë të cilët kanë lënë gjurmë me paraqitjet e tyre në fushët e blerta. Pjesë e saj kanë qenë lojtarë si Vioresin Sinani, Edi Martini, Armir Grima, Suad Lici, Uliks Kotrri etj të cilët kanë qenë gjithnjë protagonist me paraqitjet e tyre. Por në fakt, nëse i jemi “borxhli” dikujt, ai padyshim që është Safet Osja. I lindur në Shkodër me 17 tetor 1975, futbollin do ta niste shumë herët por duke mos gjetur hapësira tek Vllaznia, karrierën e tij me të rriturit e nis nga Laçi.

Luan me të një sezon sepse në vitin 1996, trajneri Hysen Dedja do ta rikthente në Shkodër. Luan me shumë sukses në rradhët e saj deri në fund të sezonit 2003-04 dhe më pas kalon tek Elbasani, skuadër me të cilën luan dy vite dhe është pjesë e saj kur ajo do të shpallej kampione e Shqipërisë. Rikthehet në vitin 2006 në Shkodër dhe vazhdon të luajë deri në vitin 2010. Karrierën do ta mbyllte tek ekipi i Adës ndërkohë që menjëherë pas përfundimit të saj, do të niste për disa kohë punën e trajnerit. Fillimisht tek Akademia Vllaznia dhe më pas, për njëfarë periudhe në sezonin 2012-2013 është edhe zëvendëstrajner tek ekipi i parë i Vllaznisë. Ndërkohë prej katër vitesh e ka lënë futbollin dhe i është përkushtuar profesionit të tij të ri, atij të doganierit megjithatë për të gjithë sportdashësit emri dhe karriera e tij kanë një vend të rëndësishëm tek historia e klubit shkodran. Ka luajtur në rolin e mbrojtësit dhe mesfushorit të krahut të djathtë por edhe si shkatërrues herëpashere duke u shquar për grintë dhe karakterin e shfaqur në fushën e lojës. Ka luajtur gjithnjë me fanellën me numrin 5 dhe përveç titullit kampion të fituar në Elbasan, është shpallur kampion edhe me Vllazninë në sezonin 1997-1998 si dhe në sezonin 2000-2001. Ka fituar me të edhe Kupën e Shqipërisë në sezonin 2000-2001 si dhe Superkupën në vitin 2001. Safet Osja kësisoj ka shkruar emrin në librin e artë të futbollit shkodran dhe ndonëse për momentin nuk është i angazhuar me të, përsëri meriton një vend në podium. Një futbollist model në fushë dhe jashtë saj.
Gjergj KOLA