Sporti i peshëngritjes në vite ka rregjistruar emra kampionësh shkodranë. Sigurisht që “qershia mbi tortë” në mes tyre është Erkand Qerimaj që ka arritur deri tek titulli- KAMPION EUROPE.Natyrshëm që pyetja e cila lind është nëse do të kemi pasues të tij apo jo? Emrat që po spikasin sigurisht që janë ato të Xhulio Prronit dhe Emanuel Lushit por për të shkuar më poshtë, tek ata me moshë më të vogël, “zbulojmë” një tjetër emër kampioni të ardhshëm. Ai është Saimir Lagja.

Vetëm 12 vjeç por në garat e ditës së djeshme të zhvilluara në Tiranë në kuadrin e kupës “Mirjan Hakani” që Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka organizuar në nderim të këtij kampioni të madh, shkodrani ka spikatur duke u shpallur kampion me kadetët. Një rezultat për t’u veçuar sepse ndonëse katër vite më i vogël, ai i ka sfiduar të gjithë konkurrentët e tij duke zënë vendin e parë me 45 kg të ngritura. Po kush është Saimir Lagja? Mjafton të dëgjosh këtë mbiemër dhe menjëherë mendja të shkon tek ish- kampioni i këtij sporti dhe sot, njëri prej trajnerëve të peshëngritjes së Vllaznisë, Artur Lagja.Saimiri në fakt është i biri dhe ky është një tregues i vazhdimësisë së suksesit në këtë familje me këtë sport. Me të dhënat që ai ka, me shumë siguri, brenda pak vitesh, do të shohim në pedana një kampion të madh- Saimir Lagjen.
Gjergj KOLA