Basketbollisti më i mirë i Vllaznisë Mirza Sarajlija i ka thënë lamtumirë asaj. Arsyeja ka të bëjë me problemet shëndetësore që i ka sjellë atij parketi i pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Shqetësimin për këtë, lojtar slloven kishte ditë që e kishte shprehur por tashmë e ka marrë një vendim të tillë. Madje, ia ka komunikuar edhe presidentit të shoqatës së basketbollit Vllaznia, Sokol Dibra në takimin që ka patur me të dy ditë më parë para se të largohej për në Slloveni. Këtë gjë e ka bërë të ditur për gazetën vetë presidenti Dibra që është shprehur:

“Po, është e vërtetë se Sarajlija më ka kërkuar të largohet përfundimisht. Ka qenë shumë i hapur në bisedën që ka zhvilluar me mua duke më thënë se është mëkat të vazhdoj ta paguaj përderisa ai me shumë gjasa nuk do mundet të luajë më për shkak të problemeve që ka me gjunjtë, probleme këto që i janë shtuar shumë kohët e fundit nga parketi i pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Ai është shumë i fortë dhe kjo i ka shkaktuar probleme të mëdha dhe në rrethana të tilla, e sheh të pamundur të vazhdojë më tek Vllaznia”. pavarësisht se Sarajlija është larguar për të mos u kthyer më, duket se ka edhe një shans të vogël për rikthimin e tij. Do të ndodhë gjithnjë nëse parketi që do të shtrohet sërish, do jetë brenda parametrave normalë, çka do t’i mundësojë atij stërvitjen normale. Këtë e pohon sërish presidenti Dibra duke shtuar: “Sarajlija është larguar por kartonin e federimit e ka sërish tek Vllaznia. Nëse gjërat mund të rregullohen sa i takon parketit, besoj se mund ta kthejmë. Ka qenë një lojtar i rëndësishëm për ne në këto dy sezonet e fundit dhe për këtë arsye, kemi nevojë për të dhe do bëjmë çmos t’ mbushim mendjen për t’u kthyer sërish”. Njeriu që po shpenzon shumë për basketbollin shkodran në fakt po mendon edhe të kundërtën, largimin pa kthim të këtij sportisti. Për këtë arsye, ai natyrisht që do të marrë edhe masat për ta zëvendësuar e për këtë, në fund do të shtonte: “Dëshira jonë është që ai të rikthehet por po mendojmë edhe të kundërtën. Mund të hyjmë sërish në merkato për të marrë lojtarë të tjerë sepse objektivi jonë është i qartë për të fituar edhe titullin kampion, pas Kupës së Shqipërisë që fituam pak ditë më parë”.
Gjergj KOLA