Trajneri i ri i Vllaznisë në basketboll për meshkuj, kroati Jeronimi Sarin, ka nisur tashmë stërvitjen me ekipin duke u munduar të bëjë më të mirën për të. Natyrisht që në rradhë të parë do të mundohet të fusë idetë e tij në mënyrën e lojës, për disiplinën dhe taktikën . Në të parin prononcim të tij pas mbërritjes në Shkodër, për “SHKODRA SPORT”, ai ka deklaruar se ka ardhur për të kontribuar që ajo të fitojë të katërtin titull kampion rradhazi. “Arsyja pse jam këtu është se ndikuan disa miq të përbashkët që unë kam në Kosovë, miq që janë edhe të presidentit të Vllaznisë dhe për këtë arsye, kam ardhur për të kontribuar që ajo të shpallet kampion. Kam punuar në ekipe me cilësi shumë herë më të larta se ky por e kam pranuar si një sfidë timen dhe kam dëshirë t’ia dal me sukses. Po e njoh ekipin tim çdo ditë e më tepër por më duhet të njoh edhe ekipet e tjera rivale për të dhënë pastaj një mendim më të saktë për garën e mëtejshme”- është shprehur ai.Ajo që është interesante ka të bëjë me faktin se tre skuadrat pretendente për titull, do kenë tre trajnerë të huaj sepse përveç Sarin tek Vllaznia, janë edhe dy malazezë tek Tirana e Teuta, Pikërisht Milatoviç e Glomaziç. I pyetur nëse është një sfidë mes tyre, trajneri i kuqebluve është shprehur: “Është shumë interesante. Kam mësuar se është hera e parë që tre trajnerë të huaj drejtojnë ekipe në kampionatin shqiptar. Për koinçidencë, jemi tre trajnerë që vijmë nga ish-Jugosllavia megjithatë i përkasim shkollave të ndryshme të basketbollit. Shkolla malazeze nuk ka asgjë të përbashkët me mënyrën time të punës megjithatë jam i bindur se do të bëj më të mirën e mundshme që skuadra e Vllaznisë të triumfojë ndaj këtyre skuadrave të tjera pretendente”.Kontakti i parë në ndeshje i Sarin me ekipin e Vllaznisë do të jetë miqësorja që ai do të zhvillojë ndaj një ekipi kinez që po stërvitet në Mal të Zi ndërkohë që debutimin në të parën ndeshje zyrtare, kroati do ta ketë këtë fundjavë në kryeqytet me Kamzën.
© shkodrasport.com