Kampionati shqiptar, ai i Superligës, por edhe kategoritë poshtë saj, do të jenë të fundit që do të fillojnë në Europë. Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur që do të jetë 11 shtatori, si dita kur do të startojë sezoni i ri futbollistik 2021/2022. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, tregon më tepër rreth këtij vendimi.

“Sivjet Komiteti Ekzekutiv mori një vendim për ta shtyrë fillimin e kampionatit pas ndeshjeve të përfaqësueses, për vetë faktin që ky kampionat do të ketë sistemin VAR. Ishte një opsion për ta filluar dhe më pas ta implementonim këtë sistem, por nuk u pranua dhe si rrjedhojë, nga data 11 shtator, të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore do të startojnë nën vëzhgimin edhe të sistemit VAR”.

Po sa do të zgjidhë problematikën e dyshimeve, apo të kontestimeve kjo risi për futbollin tonë?

“Çdo sezon kemi patur raste të diskutueshme të dukshme, por unë mendoj që sistemi VAR do t’i shmangë të gjitha këto. Por nuk jam i mendimit që ky sistem do të vendosë drejtësi 100%, sepse kudo që përdoret ky sistem, edhe në vende të tjera ka kontestime, por pjesa më e madh, pa dyshim, që do t’i shërbejë shumë garës dhe klubet do t’i kenë shumë më të pakta kontestimet”.

Pas mëse një viti do të rikthehen në këtë start kampionati edhe tifozët në stadiume, një bukuri e munguar në edicionin e shkuar, por gjithsesi ky rikthimim për momentin është vetëm në 30% të kapaciteteve të stadiumeve.

“I kemi bërë dy kërkesa Ministrisë së Shëndetësisë, ku i kemi kërkuar që të shtohet numri i pjesëmarrjes në stadiume deri në 100%. Shpresojmë që të marrim një përgjigje positive, duke filluar që nga ndeshjet e Kombëtares dhe për fillimin e sezonit të kampionatit Shqiptar, që të kemi më tepër tifozë në stadiume”.