Ka shumë trajnerë të cilët me punën e tyre kanë shkruar emrin në historinë e futbollit shkodran. Ka edhe nga ata të
cilët nuk janë përmendur shumë, por duke punuar pa zhurmë e me shumë përkushtim, kanë patur jo pak arritje. Njëri prej tyre është edhe Selami Pepaj, njeriu që e nisi si trajner me moshat dhe përfundoi tek Vllaznia e femrave, para se të merrte rrugën drejt Anglisë, vend ku jeton edhe sot.

Duke folur për “Shkodra Sport” fillimisht për punën e tij me ekipin e moshave të Vrakës, ai evidenton disa nga
lojtarët cilësorë që kanë dalë nga duart e tij dhe që tashmë po luajnë me sukses jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.

“Kam punuar disa vite me ekipin e moshave të Vrakës ku kanë dalë lojtarë vërtetë të mirë. Përmend këtu Uendi Vecajn,
Enis Çokajn që sot luan në Kroaci, Sinisha Rajçeviq etj. Kuptohet që unë gëzohem për karrierën e tyre dhe sigurisht që i uroj të ecin sa më përpara”- thotë Pepaj.

Ndërsa në lidhje me punën e tij dyvjeçare tek Vllaznia e futbollit të femrave, ish- trajneri i saj do të deklaronte: “Kuptohet që kulmi i karrierës time si trajner ka qenë tek Vllaznia e femrave me të cilën kam fituar 5 trofe në dy vitet që e kam drejtuar atë dhe përpos kësaj, ta drejtosh atë në Champion League, është një sadisfaksion
jashtëzakonisht i madh për çdo trajner.

Për këto arritje, padyshim që dua të falenderoj një njeri të mrekullueshëm, presidentin e këtij ekipi Lazer Matija që
më dha mundësinë ta drejtoj këtë ekip. Matija nuk është thjesht një president i këtij ekipi, por një mjeshtër i futbollit shqiptar sa i përket drejtimit dhe menaxhimit të këtij ekipi me të cilin po korr suksese të jashtëzakonshme”.

Selami Pepaj përveçse si trajner, ka patur një karrierë të mirë edhe si futbollist. Ai ka qenë një lojtar shumë teknik dhe që ka rënë në sy gjatë karrierës së tij me ekipet e Veleçikut, KF Shkodrës dhe Stërbeqit me të cilët ka luajtur në kategorinë e parë, duke lënë një përshtypje shumë të mirë tek të gjithë. Duke folur në lidhje me karrierën e tij si futbollist, ai do të thoshte kështu për “Shkodra Sport”:

“Kuptohet që karriera ime si futbollist nuk është ngjitur aty ku duhet ngaqë nuk munda të luaj me ekipe si Vllaznia. Por në fakt, ka qenë e vështirë të depërtoje tek Vllaznia e viteve ’80 sepse pjesë e saj ishin yjet e futbollit shqiptar.

Kështu ndodhi me vëllezërit Gruda të cilët erdhën vonë tek Vllaznia dhe e justifikuan plotësisht atë, po ashtu edhe Zamir Shpuza që luajti tek Veleçiku fillimisht, për të vazhduar me të mrekullueshmin Gjon Kola e të tjerë futbollistë shumë të mirë, por e përsëris, të depërtoje tek Vllaznia e atyre viteve ishte thuajse e pamundur.

Në ekipet ku kam luajtur, jam munduar të jap më të mirën time dhe në fakt vlerësimet ndaj lojës time nuk kanë munguar. Tifozët shkodranë më kanë dashur dhe dua t’i vlerësoj si shumë entuziastë, por njëkohësisht ata janë në njëfarë mënyre edhe specialistë të mirëfilltë futbolli. Të luash përpara tifozërisë shkodrane është përgjegjësi e madhe dhe secili futbollist duhet ta dijë këtë gjë.
Gjergj KOLA