Vllaznia e futsallës është rikthyer fuqishëm në kampionat pas disa vitesh mungesë. Kuqeblutë së fundmi mposhtën edhe Flamurtarin, duke kapur kështu kreun e renditjes.

Një nga protagonistët e ekipit, i rikthyer së fundmi nga një dëmtim është edhe Senad Lekaj. Ai u shpreh shumë i kënaqur me këtë sukses dhe se ambiciet e shkodranëve në këtë edicion janë maksimale.

Lekaj tha: “Ishte një sukses shumë i rëndësishëm ky me Flamurtarin sepse duhet theksuar se vlonjatët janë ekipi që e kanë dominuar këtë sport në vite. Unë sapo jam rikthyer nga një dëmtim dhe nuk isha pjesë e ndeshjes, por skuadra tregon se ka cilësi dhe nuk i ndjen mungesat e asnjërit. Ndaj Flamurtarit mund të them me bindje se ishte një fitore e merituar.

Tashmë jemi në krye të tabelës dhe duam ta mbajmë deri në fund të kampionatit. Këtë javë do kemi kundërshtar Tiranën, që na mundi në fazën e parë.

Duam ti kthejmë reston dhe ndaj tyre hyjmë vetëm me një objektiv që është fitorja. Fitorja jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në fund të kampionatit për të marrë titullin kampion.

Projekti është serioz dhe nuk është diçka momentale apo për një sezon. Po punohet fort edhe nga drejtuesit që të jetë një ekip me baza të forta edhe për të ardhmen. Ambiciet janë të mëdha dhe ne do përpiqemi ti realizojmë”.
Endri ÇINARI