Ardit Mani, një nga trajnerët e njohur të moshave të futbollit në Shkodër, por aktualisht edhe video analist i ekipit të Tërbunit ka komentuar suksesin e fundit të pukjanëve.

Ai në fjalët e tij thekson se 3 pikëshi kundër Flamurtarit ishte shumë i domosdoshëm për garën e mbijetesës në Kategorinë e Parë. Gjithashtu Mani thekson edhe arbitrin tendencioz që është bërë ndaj pukjanëve në javët e fundit.

Mani tha: “Ishte një fitore jetike kjo kundër Flamurtarit ditën e shtunë. Arritëm një sukses që na mungonte prej shumë javësh e patjetër në fushën tonë duhet të reagonim. Përveç fitores që ngroj gjithmonë, ishte edhe loja në nivelin e duhur pavarësisht një terreni shumë të rënduar.

Ky 3 pikësh sikur na qetëson disi, pasi skuadra sikur ishte futur në pesimizëm. Po ashtu ardhja e Ndreut në krye të pankinës ka sjellë një entuziasëm tjetër dhe që duhet shfrytëzuar. Por nuk duhet të kënaqemi sepse kjo javë na sjell një nga transfertat më të forta siç është ajo kundër Korabit. Dhe patjetër duam pikë duke parë garën e egër që ka Kategoria e Parë.

Arbitrimi ? Të them realitetin e kanë masakruar Tërbunin në javët e shkuara. Mund të ketë gabime në ndeshje dhe episode të caktuara, por jo të jenë tendencioze sepse shihen qartë që janë disa vendime absurde në dëm të skuadrës së Tërbunit”.
Endri ÇINARI