Për të gjithë ata që ndjekin futboll, mënyra e realizimit të penalltive me parabolë, ose siç njihet ndryshe “Panenka”, për shkak të ideatorit të tij Antonin Panenka, është ndër më të bukurat.

Ishte viti 1976, në kampionatin Europian, kur Antonin Panenka rrezikoi shumë, duke realizuar një penallti të tillë, por padyshim që mbeti gjatë në mendjen e tifozëve. Sot, dikush po ecën në gjurmët e 69-vjeçarit, ai është Sergio Ramos. Në një intervistë për Goal.com, çeku ka treguar sesi lindi ajo ide, por gjithashtu ka vlerësuar edhe mbrojtësin, sipas së cilit, është imituesi i tij më i mirë.

“E dashuroj, mendoj se ai është imituesi im më i mirë. E ka bërë disa herë, si në Kampionatin Europian në vitin 2012. Njerëzit e njohin “Panenka” dhe tentojnë ta bëjnë sërish. Është e mrekullueshme”, tha Panenka.

Gjithçka daton shumë vite më parë dhe perceptimi i Panenka për lojën e portierëve, rezultoi që nuk ishte aspak i gabuar. Koha e vërtetoi këtë gjë…

“E kam praktikuar dy vite përpara Kampionatit Europian. Kisha përshtypjen se portierët gjithmonë hidhen nga njëra anë, kështu që do të ishte interesante që të gjuaja në qendër. E kam provuar me portierin tonë Hruska dhe e mundja gjithmonë, kështu ai më detyrohej: para, çokollata etj. Kështu unë fillova të përdorja trukun tim dhe papritur unë fillova të fitoja gjithnjë e më shumë…Kështu fillova të shëndoshesha nga çokollatat e shumta që fitoja”, u shpreh 69-vjeçari.

Në fund tregon edhe “pengun” në karrierën e tij…të luante në Spanjë, pasi shprehet se e dashuron stilin e tyre të lojës, shijon çdo ndeshje të La Ligës edhe kur nuk ka gola.

Gjithmonë, tregon se gjen gjëra interesante, një pasim të mirë, një kontroll të bukur të topit. Kjo ëndërr kishte qenë shumë pranë realizimit, Real Murcia donte të nënshkruante me të, por arsye të ndryshme, nuk u bë asgjë konkrete.