Boksierët e Vllaznisë prej kohësh kanë nisur përgatitjet për kampionatin kombëtar që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Shkodër.

Ata aktualisht ndodhen në fazën e fundit të përgatitjeve dhe gjithçka duket se po shkon në mënyrën e duhur. Në një prononcim për “Shkodra Sport”, trajneri Jozef Sermi shprehet se përgatitjet po shkojnë në mënyrën e duhur.

“Ekipi i Vllaznisë vijon me përgatitjet për kampionatin e boksit që do të zhvillohet muajin e ardhshëm. Tashmë kemi hyrë në fazën e tretë të përgatitjes, pas asaj të zhvilluar në plazhin e Velipojës dhe më pas në Zogaj.

Aktualisht jemi duke zhvilluar një stërvitje të alternuar si në aspektin e përgatitjes fizike me atë teknike dhe kjo gjë do të vazhdojë deri më datë 23.

Më pas do të fokusohemi vetëm tek përgatitja tekniko-taktike për t’u bërë gati më pas për kampionat”- ka thënë ai.

I pyetur në lidhje me objektivin që do të ketë ekipi I Vllaznisë për këtë kampionat, Sermi do të përgjigjej: “Padyshim që objektivi është fitimi i titullit kampion dhe për më tepër kjo është detyrë për ne ngaqë kampionati do të zhvillohet në Shkodër, para tifozëve tanë.

Kemi disa sportistë të larguar por jemi fokusuar tek elementi i ri dhe me perspektivë që kemi në ekip dhe që është shumë i talentuar. Ne besojmë tek këto boksierë dhe jam shumë i bindur se Vllaznia do ta fitojë titullin e 22-të”.

Kampionati do të zhvillohet në muajin tetor në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe përveç Vllaznisë, pretendentë për titullin kampion janë edhe ekipet e Tiranës dhe Teutës, çka do të thotë se pritet një rivalitet I fortë.
© shkodrasport.com