Të dielen pasdite në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do të nisë kampionati kombëtar i boksit për të rinj. Një kampionat që pritet me interes dhe mendohet që të ketë rivalitet sidomos në mes Vllaznisë dhe ekipit privat kryeqytetas Arena. Trajneri i ekipit shkodran Jozef Sermi në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” do të shprehej kështu në lidhje me këtë kampionat:

“Viti 2017 po shkon drejt fundit dhe padyshim që mund të konsiderohet një vit i mbarë për boksin shkodran. Jemi shpallur kampion me të rriturit, e po ashtu edhe me 14 dhe 16 vjeçarët dhe për këtë arsye, do të synojmë të shpallemi kampion edhe me 18 vjeçarët. Kemi punuar fort edhe me këtë brez sportistësh dhe jam i bindur se do t’ia dalim. Do ketë rivalitet dhe në fund jam i bindur se do të triumfojë Vllaznia sepse ka elementin e duhur dhe po ashtu kemi bërë përgatitjet e duhura për të arritur edhe këtë sukses”.
© shkodrasport.com