Trajneri Rodolfo Vano li nuk ia fali atë gabim të minutës së parë mbrojtësit Aleksandër Sofranak në ndeshjen me Laçin. Kjo transfertë, ku blutë humbën 2- 1, u bë një malore e fortë që në start, sepse për një skuadër që po vuan në të gjitha aspektet nuk është e lehtë të reagojë.

Italiani e ndërroi mbrojtësin malazez pas 45 minutave të para dhe pas ndeshjes e bëri të qartë qëndrimin e tij. “Shpresoj që lojtari që bëri atë gabim të mos ketë ardhur për pushime këtu”, u shpreh Vanoli, duke iu referuar Sofranakut. Dhe për të disatën herë ai bëhet çështje të kryeqytetasit.

Qendërmbrojtësi që u vlerësua për paraqitjen e tij me fanellën e Dinamos në javët e para, më pas ka pasur shumë oshilacione në lojë. Po ashtu, jo pak herë ai ka krijuar probleme me qëndrimet dhe pretendimet e tij, që janë konsideruar më shumë si kapriço të lojtarit.

REFUZIMI – Gjatë kampionatit Sofranak ka pasur raste që kërkonte të pushonte, sepse ndihej i lodhur, por kulmi i kapriçove të tij ishte para ndeshjes së pak javëve më parë ndaj Egnatias. Malazezi nuk pranoi të luante dhe i tha trajnerit Vanoli se nuk ndihej mirë fizikisht dhe mendërisht.

Sofranak nuk luajti dhe blutë u mundën 0-2 në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Klubi e gjobiti për atë sjellje dhe mbrojtësi u aktivizua më pas në ndeshjen me Kastriotin, ku sërish kryeqytetasit humbën.

Së fundi edhe ai gabim në Laç. Ulja menjëherë në stol tregon se gjasat janë të pakta që trajneri italian ta aktivizojë këtë futbollist në formacion. Të paktën për momentin. Ishte momenti më i gabuar në fakt për të bërë “numra”.

KAPRIÇO – Gazeta mëson se futbollisti malazez ka pasur sjellje të kësaj natyre edhe gjatë kohës që Dinamo drejtohej nga trajneri Bledi Shkëmbi, ai që dha viston për ardhjen e mbrojtësit te kjo skuadër.

Por ish-trajneri i bluve e kishte kaluar situatën, duke e bindur me fjalë Sofranakun. Në atë kohë lojtari ishte shprehur se nuk ndihej shumë mirë, se i mungonte familja. Gjithsesi, trajneri korçar e kishte vënë në “sedër”, duke i thënë se këto pretendime janë të papranueshme për një futbollist profesionist.

LARGIMI – Dinamo është me një këmbë në Kategorinë e Parë. Matematika e mban me shpresë, por rënia duket e pashmangshme dhe skuadra me siguri do të preket nga një revolucion pas mbarimit të sezonit.

Dhe Sofranak është ndër të parët që do të prekej nga revolucion, si për anën sportive, por më shumë për sjelljen që ka pasur gjatë këtij sezonin me fanellën e Dinamos. Ai ka munguar në disa ndeshje për shkak dëmtimi dhe kartonësh, ndërkohë që ka shënuar një gol ndaj Vllaznisë në Shkodër.