Vllaznia ka marrë një barazim 1-1 në ndeshjen miqësore ndaj Deçiq të Tuzit, ndeshje kjo e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” dhe që u shërbeu të dy ekipeve si test në prag të ndeshjeve europianë ku ato do të marrin pjesë.
Por duhet thënë se për kuqeblutë kjo miqësore ka qenë një test për lojtarët e ekipit të dytë, ato të ekipit B, të Akademisë, por edhe për disa të tjerë të ardhur në provë.
Trajneri Martini e nisin ndeshjen me Jukajn në portë, ndërsa treshja e mbrojtjes ka qenë e përbërë nga Pusi, një francez i ardhur në provë dhe një maroken. Në krahë kanë luajtur Ara dhe Sokol Uldedaj ndërsa në qendër Papaj, Tafili dhe Dros, të cilët kanë mbështetur Kubazin dhe një sulmues tjetër të ardhur për provë nga Franca.
Ndeshja ka nisur me gol dhe ka qenë pikërisht Gerald Kubazi ai që ka zhbllokuar shifrat që në minutën e 5-të dhe si rrjedhojë pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin 1-0 të shkodranëve.
Në fillimin e së dytës ka qenë Deçiq i cili pas një goditje standarte ka shfrytëzuar një gabim të vendasve dhe ka barazuar. Gjatë pjesës së dytë Vllaznia ka aktivizuar shumë lojtarë të rinj por ka patur pak minuta edhe për Muratajn dhe për mbrojtësin kroat të sapoafruar Brajkoviç.
Përfundimisht barazim 1-1 në këtë miqësore të parë, ndërkohë që të tjerat Vllaznia do t’i zhvillojë javën e ardhshme gjatë fazës përgatitore që do të kryejë në Slloveni.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


