Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ende nuk ka një datë se kur do të fillojë, por me shumë mundësi kjo do të ndodhë në ditët e para të muajit tetor. Disa prej skuadrave i kanë nisur prej kohësh përgatitjet dhe po ashtu kanë plotësuar edhe përbërjet me lojtarët e duhur.

Por krejt ndryshe situata te Vllaznia. Trajneri Bekteshi ka kohë që ka nisur stërvitjet por kontigjenti i lojtarëve që ka në dispozicion është shumë i cunguar dhe si rrjedhojë planet për sezonin e ri duken ende me shumë probleme.

Skuadra shkodrane shpëtoi nga rënia në kategorinë e parë pikërisht nga ndryshimi i formulës së kampionatit nga FSHB që ka menduar shkrirjen e Superligës me kategorinë e parë në një ligë të vetme, por kjo gjë nuk i ka zgjidhur hallet e saj.

Aktualisht tek Vllaznia kanë mbetur kapiteni Rakaj, Memçaj, Shabani dhe Bitri nga lojtarët disi me përvojë, ndërsa pjesa tjetër janë basketbollistë shumë të rinj dhe që nuk ofrojnë shumë garanci me aktivizimin e tyre. Po flitet për afrimin e së paku një basketbollisti amerikan, por kjo mbetet për t’u parë.

Kampionati vjen shpejt dhe me përbërjen që ka, Vllaznia jo vetëm që nuk bëhet fjalë për të pretenduar, por rrezikon sërish të shkojë drejt fundit të tabelës së klasifikimit./SHKODRA-SPORT.COM/