Vllaznia do rikthehet të luajë një ndeshje zyrtare në kampionat pas më shumë se thuajse 3 javësh pushim të Superiores. Skuadrat e elitës së vendit tonë do zbresin në fushë këtë fundjavë, e më konkretisht shkodranët do jenë në Tiranë, ditën e premte në orën 16.00 për tu ndeshur me Partizanin.

Takim që është i vlefshëm për javën e 16-të të Superligës dhe që mund të vendosë shumë në ecurinë e kampionatit për të dy ekipet. Por ndoshta më deçizive kjo ndeshje do jetë për Vllazninë, që minimalisht nuk do kërkojë të humbasë në kryeqytet ditën e premte, kjo për të mos humbur edhe kontaktet me kreun e tabelës.

Në kampin Shkodran duken shumë të motivuar dhe të përqendruar për një takim të tillë, ku patjetër që motivimi vjen vetvetiu. E në skuadër ka nga ata futbollistë që e dinë mirë se si i bëhet ‘dëm’ të kuqve, duke qenë se i kanë shënuar edhe në të shkuarën. Janë disa futbollistët tek Vllaznia që kanë gjetur rrjetën në karrierën e tyre përballë Partizanit.

Duke nisur kështu që nga mesfushori, Herald Marku e për të vijuar me gjithë vijën e parë sulmuese siç janë: Hoxhaj, Kaina dhe Aralica. Të gjithë këta futbollistë i kanë shënuar në të shkuarën ‘demave’. Po ashtu një prej atyre që i ka ‘tundur’ rrjetën shpesh në karrierën e tij të kuqve është edhe Liridon Latifi, por që do mungojë për shkak dëmtimi.

Një grumbull futbollistësh që dinë mirë si të zgjidhin sfida të tilla dhe nga të cilët dhe jo vetëm shpresohet që ditën e premte të arrihet një rezultat pozitiv në Tiranë.
Endri ÇINARI