Portieri i Realit të Madridit, Tibo Kurtua, ka shoqëruar trajnerin Karlo Ançeloti në konferencën për shtyp para gjysmëfinales kundër Valencias sonte në mbrëmje në Riad.

Ai ka lënë pas humbjen në La Liga në fundjavë dhe ka nënvizuar se skuadra është 100% e fokusuar te Superkupa, ku objektiv është fitimi i saj.

“Nga humbja me Vijarrealin kemi nxjerrë disa mësime. E dimë se duhet të përmirësohemi dhe nëse duam të shkojmë në finale, duhet të luajmë shumë më mirë kundër Valencias.

Do të jetë një përballje e vështirë kundër një rivali që ka qenë gjithnjë problematik. Por objektivi ynë është i qartë, ne duam të fitojmë Superkupën. Ndaj, hapi i parë është të shkojmë në finale. Për këtë duhet të kalojmë Valencian”, tha belgu.