Teuta e ka fituar me rezultatin 4-0 miqësoren e zhvilluar dje pasdite në Durrës kundër Erzenit. Durrsakët kanë shënuar tri herë në portën e shijakasve: dy herë me sulmuesin Rubin Hebaj, ndërsa golin tjetër e ka shënuar Kallaku me një supergoditje dënimi nga 30 metra. Ndërsa për “pokerin” mendoi Dejvid Kapllani. Ky takim ishte një test për lojtarët një javë para ndeshjes me Laçin. Edi Martini provoi edhe formacionin për startin e kampionatit, ndeshje që do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme ndaj Laçit.kljk

PJESA E PARË

Që në fillim Teuta rrezikon. Goditje këndi për Teutën, Teqja largon rrezikun nga zona. Në minutën e pestë, Vila bukur jashtë zone, ka hapësirë, godet me të djathtën, por topi shkon mbi traun e portës. Tri minuta më vonë, Çyrbja tenton me të majtën, topi shumë larg portës. Goli i parë vjen në minutën e 15-të. Hebaj pas një topi të gjatë nga Beqja godet me kokë përballë Vatës dhe e çon topin në fundin e rrjetës.

Çyrbja kërkon golin, gjuan me të djathtën, pas një topi të larguar nga kundërshtarët, por sfera shkon jashtë kuadratit. Tenton edhe Hoxha me kokë, por Teqja largon rrezikun. Në minutën e 25-të, Çyrbja kroson në zonë, Hebaj godet saktë me kokë dhe 2-0 për Teutën. Në minutën e 30-të, pas një kombinimi të bukur mes Aleksit dhe Vilës ky i fundit godet nga jashtë zone, por topi përfundon mbi kuadrat. Minuta e 32-të, Todorovski kroson nga e djathta, aty Hebaj provon më rroveshatë, por pa problem për Vatën.

Në minutën e 33-të vjen edhe goli i tretë i takimit. Goditje dënimi për Teutën, ekzekuton mjeshtërisht Kallaku dhe topi shkon në trekëndësh. Loja vazhdon me dominimin e Teutës, por Erzeni nuk karron të sulmojë. Çutra kroson në zonë, por Frashëri grushton në momentin e fundit. Lorenco Vila tenton nga jashtë zone, topi përplaset te Teqja dhe shkon në këndore. Pjesa e parë mbyllet me një dalje shumë të shpejtë të Teutës në sulm me pasime të sakta, por Hebaj gabon në stopim.

PJESA E DYTË

Sërish Teuta nis lojën në sulm. Minuta e 50-të, goditje këndi për Teutën, moment i mirë, por askush nuk e prek topin për ta çuar në rrjetë. Aksion i shpejtë i Teutës, Çyrbja pason te Vila që hyn në zonë, por ndalet nga kundërshtarët. Kallaku në minutën e 58-të, vertikalizon për Çyrben, ai pason në qendër të zonës, por largon Teqja. Dy minuta më vonë Gruda pason bukur për E.Vilën, ky i fundit godet, por jashtë kuadratit.

Çyrbja vazhdon të kërkojë golin dhe provon nga brenda zone, topi devijohet. Gruda më pas kombinon me Çyrben, ky i fundit kroson në zonë aty ku Aleksi godet, por pret Vata. Në minutën e 67-të, mundësi e mirë për Teutën. Gruda del përballë Vatës, por goditja e tij kalon ngjitur me shtyllën. Shijakasit zgjohen nga fundi i lojës. Është Xhixhiua që provon me kokë, por Celeski në pozicion grushton. Durrsakët nuk qetësohen dhe kërkojnë golin e katërt.

Beqja kroson bukur nga e djathta dhe Kapllani me kokë shënon një gol mjaft të bukur. Në minutën e 80-të, Gruda lëviz brenda zonës, gjen hapësirë, godet me të majtën, por ndalet nga Mara. Troplini provon me kokë, por pret Celeski. Teuta i afrohet golit të pestë, Kalaja godet në hyrje të zonës, Mara largon gjuajtjen qendrore. Me kaq mbyllet miqësorja e Teutës me Erzenin, të cilën durrsakët e fituan 4-0.