Vlerësimet për Marash Kumbullën në Itali nuk kanë fund. Talenti shqiptar ka fituar respektin etë gjithëve me lojën e tij në fushë, ku nuk e tregon aspak moshën e tij 20-vjeçare.

Cilësitë e tij e bëjnë një nga emrat më të lakuar në merkato me një listë të gjatë klubesh që qendrojnë në radhë për shërbimet e tij. E për të arritur të gjithë këtë sukses i ka mjaftuar vetëm një sezon në Serie A. Madje edhe atë nuk e ka përfunduar ende.

Kaq pak kohë i ka shërbyer Kumbullës për të rrëmbyer edhe zemrat e tifozerisë së Veronës. Këta të fundit i kanë treguar një vlerësim të madh, duke e përfshirë në listën e 20 futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave të klubit veronez.

Është vetë “hellascalcio.it” që ka ndarë edhe formacionin më të mirë të të gjitha kohërave, i cili është ndërtuar në bazë të preferencave të vetë tifozëve.

Marash Kumbulla ka humbur vendin e titullarit në të, por emri i tij gjendet në listën e rezervave. Diçka e tillë nuk është pak, duke marrë parasysh moshën e tij të re dhe faktin se ka vetën një sezon jo të plotë që mban veshur fanellën e Hellas Veronës në futbollin profesionist. Por me paraqitjet e tij, ka treguar se e meriton këtë dashuri të tifozëve./Sport Ekspres/