Një nga emrat të cilët me siguri do të dëgjojmë shpesh edhe në vitet e ardhshme në futbollin italian është ai i Erald Laktit. Mesfushori shkodran, pasi ka shkëlqyer në akademinë e Fiorentinës ku ka qenë edhe kapiteni i të rinjve, ka nisur karrierën si profesionist duke iu bashkuar në huazim Gubios në Serinë C. Një vit i parë si titullar “për të mësuar zanatin” me shpresën që të kthehet përsëri te Fiorentina dhe të debutojë atje me ekipin e pare.

Vetë Lakti ka treguar diçka nga karriera e tij në faqen zyrtare të klubit, duke u ndalur jo vetëm te eksperienca te Gubio, por edhe të rritja si profesionist, loja dhe idhujt që ka, pa harruar edhe lidhjen me Shqipërinë ku ka luajtur me përfaqësueset e moshave.

KARANTINA – “Tani, me fillimin e fazës 2, stërvitem më vëllain tim dhe një mik në një park këtu afër shtëpisë, gjithmonë duke ndjekur programin e klubit. Por rutina nuk ka ndryshuar shumë në krahasim me disa muaj më parë”.

KOMBËTARJA DHE FAMILJA – “E dinë të gjithë që kam origjinë shqiptare, familjarët e mi janë të lindur në Shqipëri dhe kjo ka lehtësuar zgjedhjen time, edhe për faktin se përfaqësuesja italiane nuk më ka ftuar. Tani po stërvitem shumë më vëllain tim, por mos më pyesni se cili është më i fortë.

Të dy që të vegjël rrinim me top në këmbë e për këtë falënderoj babain tim, i cili më ka ndihmuar shumë, edhe pse ishte një mik i familjes ai që e bindi që të më çonte të luaja futboll. Në moshën 9 vjeç mbërrita te Fiorentina, vitin e kaluar mbylla sektorin e të rinjve si kapiten me fitoren e Kupës së Italisë, ishte me të vërtetë emocionuese”.

GRUMBULLIMI ME FIORENTINËN DHE TURNEU NË SHBA – “Sapo u mbyll sezoni i kaluar, më kujtohet që isha shumë i zënë pasi kisha provimet. Por pastaj mora telefonatën e menaxherit të skuadrës i cili më komunikoi grumbullimin. Isha shumë i lumtur pasi ishte hera e parë.

Një tjetër turne ishte edhe turneu amerikan, kam luajtur 3 ndeshje me ekipin e parë dhe kam ndërruar fanellën me Xhakën. Por ishte i  bukur edhe qëndrimi në pankinë në vitin e kaluar në ndeshjen vendimtare ndaj Xhenoas, ku ia dolëm të barazonim dhe të shpëtonim ekipin në një stadium të tejmbushur”.

MBËRRITJA TE GUBIO – “Ishin shumë skuadra që më ndiqnin. Duke folur me menaxherin, me klubin dhe Guidin, vendosa që të vija këtu, është një skuadër e rëndësishme për të rinjtë. Guidi më përshtati si mbrojtës krahu dhe më ndihmoi shumë që të përmirësoja fazën mbrojtëse, më mbërritjen e Torrente më pas u ktheva në mesfushë.

Nuk e prisja të luaja kaq shumë në vitin tim të parë si profesionist, do të thotë se isha gati, ndaj jam i lumtur. Në krahasim me të rinjtë, këtu kanë më shumë rëndësi pikët. Zakonisht nuk shënoj shumë gola, por këtë vit kam pasur shumë raste, uroj që të shënoj përsëri nëse rifillohet të luhet, përndryshe do të pres sezonin e ardhshëm”.

IDHULLI – “Shumë njerëz më kanë thënë që i ngjaj Gatuzos, i cili përveç të tjerave është një lojtar që më pëlqen shumë, kjo është një krenari për mua”.

MERKATO – “Zërat e merkatos janë një stimul më shumë, është diçka e bukur. Por tani është herët për të folur për të ardhmen, nuk ka asgjë konkrete, të shohim se çfarë do të ndodhë kur të rihapet merkato”. ËNDRRA – “Ëndrra mbetet ajo që të debutoj me fanellën e Fiorentinës në Serinë A, pas 11 viteve si pjesë e saj në sektorin e të rinjve”. /vipsport/