Vinsente de Paula Mercedes është kthyer në një çështje te Bylisi. Futbollisti i afruar në merkaton e janarit në Ballsh, duket se ka shumë pakënaqësi ndaj drejtuesve të klubit. Pak ditë më parë teksa kishte dhënë një intervistë për mediat braziliane, Vinsente theksonte se mallakastriotët nuk e kishin lejuar të lthehej në vendlindjen e tij për t’i qëndruar pranë mamasë së sëmurë, e cila më pas ndërroi jetë.

Një deklaratë të cilin Bylisi e përgënjeshtroi. Megjithatë, së fundmi është publikuar një tjetër intervistë e Vinsente, i cili këtë herë ka folur për “ESPN”, ndërsa përsërit akuzat duke shtuar edhe pretendimin se edhe pse ishte e ndaluar prej koronavirusit të stërviteshin, janë kërcënuar me gjoba nëse nuk e bënin diçka të tillë.

Transferimi te Bylis- “Kisha një ofertë të mirë nëpërmjet një agjenti që më kishte parë të luaja. Më tha se ekipit i duhej një futbollist krahu dhe që luftonte për tituj. Ishte në një kampionat të mirë, kisha mundësinë të shkoja edhe në elitën e Zvicrës sepse ai i kishte kontaktet. Por, u transferova te Bylis. Erdha për të firmosur por agjenti nuk ishte aty. Gjiçka që më premtuan nuk u realizua”.

Sëmundja e mamasë dhe pengesa e nxjerrë nga klubi për t’i qëndruar afër- “Mamaja ishte e shtruar në spital dhe doja të kthehesha në Brazil për t’i qëndruar pranë, për ta ndihmuar. Fola me presidentin e klubit, por nuk më dha leje me justifikimin se kishte ndeshje të rëndësishme dhe i duhesha ekipit.

Isha shumë i shqetësuar dhe në ankth sepse nuk mund të bëja asgjë. I thashë që doja të shkoja në Brazil, që t’i jepja forcë mamasë. Ishte një moment shumë i vështirë sepse isha vetëm unë dhe ajo. Por, presidenti ishte shumë i ftohtë dhe i prerë. Nuk më dëgjoj edhe pse i thashë se do të shkoja dhe do të rikthehesha sërish”.

Mungesa e lejes edhe kur i vdiq mamaja- “Një gjë shumë e shëmtuar, sepse presidenti nuk ndjente asgjë. As nuk arrija të flisja tamam me atë sepse isha duke qarë. Ishte një dhimbje unike”.

Pretendimi se klubi nuk i ka dhënë paratë që i takojnë- “Në katër muaj, më kanë dhënë vetëm njëmijë euro dhe që nuk është as paga ime. Prej kur kam ardhur këtu, vetëm më kanë gënjyer. Nuk e dija nëse ato para ishin pjesë e rrogës sime apo diçka tjetër. I pranova sepse më duheshin dhe i kam dërguar të gjitha në Brazil”.

Stërvitja edhe pse ishte karantinë- “FIFA tha se nuk mund të stërviteshim, por klubi na tha se nëse nuk stërviteshim atëherë do të na gjobiste. Nuk kishim çfarë të bënim përveçse t’iu bindeshim urdhrave”.

Paratë e vetme në këtë kohë kanë qenë 250 euro nga Federata- “I kam përdorur shumë mirë këto para për të shmangur problemet me urinë. Kontrata ime me klubin ka përfunduar më 23 maj, por klubi nuk ka diskutuar asnjëherë me mua për rrogën time. Futbolli në Shqipëri do të rifillojë më datë tre qershor, por unë nuk e kam aspak mendjen aty.

Mendoj vetëm të gjej një mënyrë për t’u rikthyer në Brazil. Është e vështirë sepse nuk ka fluturime dhe i pari është më datë një qershor, shpresoj shumë që të jem në atë avion”, u shpreh Vinsente, futbollist i Bylisit për ESPN. /VipSport/