Kukësi ka nisur rënien e lirë në kampionat duke treguar një lojë zhgënjyese, gjithashtu edhe rezultatet, teksa kulmi arriti në humbjen 5 me 0 ndaj Partizanit. Me hapjen e merkatos së dimrit, Kukësi ndërhyri duke bërë përforcime që do t’i mundësonin të rivalizonte për titullin, por nuk po ndodh kështu.

Blerja më e bujshme ishte ajo e sulmuesit Vasil Shkurtaj dhe duke njohur potencialin e tij dhe efikasitetin para portës, mendohej që do të ishte një armë plus për verilindorët. Mirëpo, lojtari, përjashto ato sekonda pozitive ndaj Skënderbeut, që me prekjen e parë të topit arriti të shënonte gol, në sfidat e tjera ka qenë hija e vetvetes në fushë. Madje, jo në të gjitha rastet është preferuar titullar, duke ia vënë “fajin” gjendjes së tij fizike, ndonëse u bë shumë kohë që stërvitet rregullisht me skuadrën.

DILEMAT E LONGOS

Situata me Shkurtajn ka vënë në pozita të vështira edhe vetë Longon, sepse cilësitë e sulmuesit nuk përshtaten me stilin dhe skemën e lojës që aplikon italiani. Shkurtaj nuk është më një pikë referimi në sulm, duke bërë që të marrë shumë pak topa gjatë lojës dhe të mos krijojë rrezik në portën kundërshtare.

Duke parë se gjërat nuk po funksionojnë, Longo është mes dy dilemave: të ndryshojë mënyrën e lojës dhe të ketë pikë referimi bomberin apo të vazhdojë me të njëjtën skemë dhe 30-vjeçari të qëndrojë në stol.

Është një “hall” jo i vogël ky, sepse vështirë se tekniku të heqë dorë nga filozofia e qarkullimit të topit dhe nga ana tjetër duhet të përshtatë me ekipin sulmuesin e tij kryesor. Edhe në seancat stërvitore janë provuar lëvizje të ndryshme, por ende nuk po gjendet një zgjidhje.

Shkurtaj shihet si një lojtar i rëndësishëm për ekipin e Kukësit, por për momentin nuk po i krijohet mundësia të tregojë potencialin e tij. E njëjta dilemë është edhe për ndeshjen ndaj Vllaznisë në kokën e italianit dhe mbetet për t’u parë në fund nëse do ta nisë me Shkurtajn ndeshjen titullar apo do ta preferojë nga pjesa e dytë.

SITUATA PARA VLLAZNISË

Për momentin situata në Kukës nuk është ndër më të mirat, sepse para dy ditësh kanë marrë edhe humbjen më të thellë në historinë e tyre. Kukësi nuk i kishte pësuar asnjëherë pesë gola në kampionat gjatë kësaj dekade në Superiore dhe për më tepër pa shënuar dot asnjë gol.

Megjithatë, për momentin në klub nuk kanë preferuar të “nxehin” situatën, por po presin një reagim në ndeshjen me Vllazninë. Nëse vazhdon paraqitja negative edhe në atë ndeshje, pritet të merren masa, të cilat edhe mund të jenë drastike, si te lojtarët ashtu edhe te stafi teknik.